“Berisha është në hall të madh…”, Haxhiu: Si doli blof LaCivita për Sorosin dhe non-gratën…

Që prej rikthimit të Donald Trump në Presidencë në SHBA, Partia Demokratike dhe Sali Berisha kanë patur shpresë se kjo do të sjellë të mira edhe për ta. Por çfarë ka arritur PD me ndryshimin e administratës në SHBA dhe me angazhimin e lobistit të Trump në fushatë?

Baton Haxhiu, e quajti Berishën një “njeri në hall”, që gaboi me marrjen e LaCivita si strategjist i fushatës.

“Po flasim për një njeri që ishte në hall dhe një njeri në hall gjen hapësirë për t’u rikthyer në fitore duke përdorur edhe LaCivita, përrallën për Trump dhe duke provuar të manipulojë opinionin publik se ai është shpëtimi i Shqipërisë. Ai ishte shpëtimi i Berishës dhe jo i Shqipërisë.

Nuk ishte arsye që do të fitonte zgjedhjet. Një i huaj nuk t’i fiton zgjedhjet, një i huaj mund të të rrëzojë vetëm nga pushteti. LaCivita ishte projekt i cili kishte dy rrugë. E para, gënjeshtra se do të hiqet non-grata dhe e dyta, do të bindë shqiptarët që ky është përfaqësues i Trump dhe Trump e ka vrarë gjarpërin Soros dhe kështu do të ndodhë edhe me Ramën.

Të dy rrugët dështuan dhe dështimi ishte jo pak i vogël, spektakolar. U vërtetua se një strategjist i huaj nuk ndërton rrëfimin për fitore, nëse nuk e ke idenë e fitores dhe seriozitetin e saj. Nuk e ndërton rrëfimin brenda vendit nëse nuk ke rrëfim tëndin.

Berisha nuk pati rrëfim, ideologjikisht ishte i mangët, fyes dhe në momente të caktuara nuk kishte ide përse e kërkon pushtetin. Shpresa e madhe e kishtë emrin LaCivita, por për mua ai ka qenë dështim i madh dhe arsyeja pse nuk duhej thirrur. E kam thënë nuk është njeriu i duhur, sepse njeriu i duhur është njeriu shqiptar”, tha Haxhiu.