Pas përplasjes fizike me një ish-polic që dhunoi kamarierin në lokalin e tij, Vasil Bedinaj – biznesmeni dhe pronari i rrjetit hotelier “Regina Group” – ka marrë mbështetje të gjerë në rrjetet sociale për reagimin e tij në mbrojtje të punonjësit.
Por kjo nuk është hera e parë që Bedinaj bie në sy të publikut për veprimet e tij.
Një material i publikuar nga Dosja.al në vitin 2019 rikujton se Bedinaj kishte hapur dyert e hoteleve të tij për të strehuar familjet e prekura nga tërmeti tragjik që goditi vendin në nëntor të atij viti.
Ai deklaroi se po vinte në dispozicion gjithë rrjetin hotelier për çdo familje që kishte mbetur pa banesë, duke i ofruar strehim pa pagesë.
Ky gjest i vitit 2019 është risjellë në vëmendje nga përdorues të shumtë të rrjeteve sociale, të cilët theksojnë se veprimet e Bedinajt janë të një natyre njerëzore dhe solidarizuese.
Veçanërisht pas incidentit të fundit, reagimi i tij është interpretuar nga shumë qytetarë si një vijimësi e karakterit të tij – duke mos qëndruar i heshtur përballë padrejtësisë.
Aktualisht, videot e incidentit në Vlorë, ku Bedinaj u përfshi për të ndalur dhunën ndaj kamarierit 18-vjeçar, janë bërë virale, ndërsa shumë komentues shprehen se do të mbështesin biznesin e tij duke zgjedhur të jenë klientë të rregullt.
Vasil Bedinaj, pronari i rrjetit hotelier “Regina Group” në Vlorë, është kthyer në qendër të vëmendjes pas incidentit të ndodhur në lokalin e tij, ku ndërhyri për të mbrojtur një kamarier 18-vjeçar që po dhunohej nga një oficer policie jashtë shërbimit.
Por ndërsa ngjarja shkaktoi reagime të forta në opinionin publik, për Bedinajn situata ka marrë një tjetër kthesë.
Në rrjetet sociale, mijëra përdorues kanë shpërndarë pamje të ndryshme të tij. Komentet dhe reagimet janë të mbushura me mbështetje për veprimin e tij, ndërsa shumë qytetarë e kanë quajtur një akt të drejtë dhe të guximshëm.
Madje, në faqet zyrtare të bizneseve të tij janë shtuar ndjeshëm ndjekësit dhe komentet pozitive. Përdorues të shumtë kanë premtuar se do të frekuentojnë lokalet e tij dhe do t’ia rekomandojnë të tjerëve, si formë vlerësimi për mbrojtjen që i bëri të riut që po dhunohej.
Ngjarja ndodhi pas një konflikti për një shishe ujë, ku Nënkomisari Ardian Isufi dhe një tjetër person u përplasën fizikisht me kamarierin.
Asnjë ndjesë publike nuk shprehu Flamur Isufi, vëllai i oficerit të policisë Ardian Isufi që një ditë më parë në restorantin e një hoteli në Vlorë dhunoi bashkë me mikun e tij, një kamerier që i kishte ngatërruar porosinë, duke çuar në tavolinën e tyre një shishe ujë më tepër.
“Video nuk është e plotë, vëllai ka larguar kamerierin, ai ka vazhduar debatin me personin tjetër personi që ka goditur nuk është vëllai im”, thotë vëllai i Arben Isufit, Flamuri.
Pavarësisht se kamerat e sigurisë së lokalit fiksuan momentin e rëndë, kur oficeri i policisë jashtë shërbimit u përfshi në incidentin fizik me adoleshentin që pasi i shërbeu si kamerier përfundoi i keqtrajtuar prej tij për shkak të keqkuptimit të porosisë, Flamur Isufi ndalet vetëm tek dhuna që u ushtria ndaj vëllait të tij.
“Vëllai im është me shpatull të thyer, fraktura në fytyrë dhe në trup. Është goditur në lokal duke pirë kafe nga pronari dhe nga 15 persona dhe video është hequr, vëllai të mbajë përgjegjësi për gabimet që ka bërë, ata të mbajnë përgjegjësi për gabimet e tyre”, shprehet ai.
Kamerat e sigurisë së lokalit në lagjen “Pavarësia” të qytetit të Vlorës, treguan qartë dhunën e ushtruar nga nënkomisari Isufi dhe një shtetas tjetër i identifikuar si Leart Bimo. Dy burrat shfaqen duke ushtruar dhunë fizike dhe verbale ndaj 18-vjeçarit, për Flamur Isufi pretendon se e gjithë ngjarja është sqaruar me babain e kamerierit të dhunuar.
“Ka ardhur babai i fëmijës, janë sqaruar dhe janë ndarë si miq, nuk kishte konflikt këtu. Këto janë inate personale se vëllai ka qenë shef qarkullimi në Vlorë. Nëse ka faj të mbajë përgjegjësi për pjesën që i takon”, shton Flamuri.
Pavarësisht dëshmisë kontradiktore të Isufit, në vendngjarje kishte edhe dëshmitarë që konfirmuan se fillimisht oficeri ka ndërhyrë me tone kërcënuese dhe kontakt fizik me të riun, i cili më pas u dhunua edhe nga ana e Leart Bimos. Ngjarja ndodhi në prani të klientëve, të cilët, të tronditur, janë larguar menjëherë, duke lënë ambientin bosh.
Ish-shefi i qarkullimit rrugor në Vlorë, së fundmi i caktuar me detyrë si efektiv kufitar në Dibër u pezullua menjëherë nga detyra, ndërsa vetë kryeministri Rama kërkoi përjashtimin e plotë të tij nga radhët e policisë dhe dorëzimin përpara drejtësisë./ Top Channel