Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-zv.kryeministri dhe ish-deputeti i PD Abdyl Xhaja.
Xhaja, i lindur në Elbasan, ishte ministër i Energjisë dhe Burimeve Minerare për Shqipërinë në qeverinë e Sali Berishës 1992 si dhe deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Ceremonia mortore mblodhi familjarë, bashkëpunëtorë të afërt, qytetarë, figura publike dhe politikanë, mes të cilëve ish-Presidenti Bamir Topi, kryebashkiaku Gledian Llatja dhe deputetë të shumtë. Në fjalët përshëndetëse u theksua roli i Xhajës në drejtimin e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, si dhe kontributi i tij në hartimin e politikave industriale e energjetike gjatë periudhës 1991–1997.
Abdyl Xhaja shërbeu si ministër dhe më pas zëvendëskryeministër në disa prej qeverive të para të tranzicionit, ku u dallua si një zë i arsyes dhe mendje strategjike në kohë të turbullta për vendin.
Ndër momentet më të përmendura gjatë homazheve ishte edhe nderimi që i është bërë nga shteti i Oklahomës në SHBA me titullin “Qytetar Nderi”, në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tij për të promovuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Edhe pas largimit nga skena politike në vitin 1997, Xhaja mbeti i angazhuar si këshilltar në fusha strategjike të ekonomisë, duke ruajtur gjithnjë lidhjen me zhvillimet e vendit dhe nevojat e tij.
Elbasani ka humbur një prej bijve të vet më të denjë, por vepra, parimet dhe kontributi i Abdyl Xhajës mbeten si një trashëgimi e çmuar për brezat që vijnë — dëshmi e një jete të jetuar me dinjitet, përkushtim dhe vizion.
Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme ndër vite, si:
1991 – Zëvendësministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikë.
1991 – 1992 Zëvendëskryeministër.
1991 – 1992 dhe 1994 – 1997 Ministër i Burimeve Minerare dhe Energjetikës.
1992 – 1994 Ministër i Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetikës.
1995 -1997 anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
1996 – 1997 deputet i PD-së.
1997 kandidat i PD-së për deputet.
1997 – 1998 këshilltar i unionit të investitorëve të huaja në Shqipëri.
1999 këshilltar i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar.