“Tërbohet” Moti/ Sinoptikania: Harrojeni plazhin, çfarë do të ndodhë në Shqipëri deri në fundjavë

Moti parashikohet me vranësira dhe reshje shiu, fillimisht në zonat veriperëndimore dhe pjesërisht në qendër të vendit. Ditën e martë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Sinoptikania e “Meteoalb” Lajda Porja në një lidhje direkte, solli dhe parashikimin e motit për orët dhe ditët në vijim.

“Jemi nën ndikimin e situatës termike duke filluar që nga dita e diel dhe pasi kaluam ditë me temperatura shumë të larta, moti ka qenë me temperatura shumë më të freskëta kjo për shkak të një mase ajri më të freskët që ka përfshirë Evropën.

Duke qenë se Ballkani po përjetonte temperatura të larta, kur hyri kjo masë e ftohtë shumë zona në Ballkan u përfshinë në reshje shirash edhe me intensitet të lartë.

Një situatë e tillë ndodhi dhe mbrëmjen e djeshme në vendin tonë, kryesisht në veri dhe në Shqipërinë qendrore.

Mbetet edhe sot situata e paqëndrueshme me reshje shiu, por do të jenë shumë më të pakta. Reshjet do të jenë kryesisht në Veri dhe në zonat qendrore, ndërsa Jugu mbetet pa reshje.

Do të ketë një përmirësim të situatës sa i përket ditës së nesërme, ndërkohë dita e enjte do të sjellë sërish reshje, ku sërish në fokus do të jetë veriu dhe pjesa lindore e vendit, duke përfshirë Librazhdin, Elbasanin dhe rrethinat e Tiranës.

Reshjet do t’i kemi prezente të paktën deri të premten. Në fundjavë do të kemi një qëndrueshmëri të kushteve dhe një përmirësim të dukshëm të situatës së motit”, u shpreh ndër të tjera sinoptikania Lajda Porja.

Ditën e martë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Që në orët e para të mesnatës priten vranësira dhe reshje shiu, të cilat do të nisin në zonat veriperëndimore dhe pjesërisht në qendër të vendit. Reshjet do të jenë me intensitet të ulët, lokalisht mesatar, dhe pritet të zgjasin deri në orët e para të mëngjesit.

Gjatë paradites dhe deri në orët e pasdites, reshjet do të shtrihen në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht me intensitet të dobët. Më pas, ato do të lokalizohen përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe në zonat malore të veriut.

Era do të fryjë e lehtë nga drejtimi juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare rreth 6 metra për sekondë, ndërsa në bregdet dhe lugina parashikohen shtime të përkohshme të intensitetit, deri në 10 metra për sekondë.

Kushtet në det do të jenë të qeta, me valëzim të ulët, në forcën 1 deri 2 ballë.

Temperaturat do të regjistrojnë vlera maksimale deri në 26°C, ndërsa në zonat malore, ato minimale pritet të zbresin deri në 15°C.