Biznesmeni i njohur Sokol Meqemeja është shpallur në kërkim nga Policia e Sarandës pasi po ndërtonte pa leje një impiant gazi (TEC), në pronë publike.
Operacioni është zhvilluar ditën e sotme nga Policia e Vlorës, Sarandës dhe IKMT Tiranë me Inspektoriatin e Mjedisit.
Hdetimet nisën menjëherë pas informacioneve se po ndërtohej në tokën shtet dhe pa leje investimi i ri, një një impiant gazi (TEC). Policia njoftoi sot se janë arrestuar në flagrancë 2 inxhinierët e kompanisë Elton Malkaj dhe Luan Metaj, ndërsa u shpall në kërkim edhe administratori i kompanisë Juglerd Ibrahimi.
Në bashkëpunim me IKMT Tiranë dhe me Inspektoratin e Mjedisit, bllokohen punimet në këtë objekt.
Njoftimi i policisë:
Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve të paligjshme që cenojnë territorin dhe mjedisin, strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, në bashkëpunim me inspektorët e IKMT Tiranë dhe me Inspektoratin e Mjedisit, ushtruan kontroll në një subjekt privat (kompani gazi), në Delvinë.
Gjatë kontrollit u konstatua se kjo kompani po ndërtonte një impiant gazi (TEC), në pronë publike, pa leje ndërtimi dhe zhvillimi nga organet kompetente.
Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. M., 31 vjeç, me detyrë përgjegjës i impiantit të gazit, dhe L. M., 53 vjeç, me detyrë përgjegjës i kantierit të ndërtimit, të dy të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
S. M., 56 vjeç, pronari i kompanisë, dhe J. I., 36 vjeç, administratori i kompanisë, të dy gjithashtu të dyshuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me qëllim përfitimi, dhe “Pushtimi i tokës”.
Nga ana e IKMT-së është mbajtur procesverbali për konstatimin e kundërvajtjes dhe është bërë bllokimi i punimeve në këtë objekt.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.