E doja por ajo më rr*hte, nuk doja tja dija për moshën! 31 vjeçari tr*ndit me arsyen pse e vr*u 52 vjecaren ne Pogradec

Të tjera detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga krimi makabër që ndodhi pak ditë më parë në Pogradec, ku një 31-vjeçar vrau me thikë partneren e tij 52-vjeçare, duke i dhënë fund një bashkëjetese disa vjeçare me dhunë brutale dhe tentativë për fshehjen e krimit.

Autori, pas krimit, ka përdorur metoda primitive për të humbur gjurmët: ka larë gjakun nga vendngjarja, ka pastruar banesën dhe më pas i ka vënë zjarrin apartamentit ku jetonin bashkë. Por pikërisht ky veprim i ka nxjerrë përpara drejtësisë.

Sipas burimeve nga grupi hetimor dhe raportimit të gazetares Dorjana Bezat, ngjarja u dokumentua në detaje falë pamjeve të kamerave të sigurisë që ndodhen pranë zonës. Ato treguan lëvizjet e autorit para dhe pas ngjarjes, duke rrëzuar versionin e tij të parë që pretendonte se nuk ndodhej në Pogradec në momentin e krimit.

31-vjeçari u shoqërua në komisariat dhe fillimisht mohoi përfshirjen. Ai deklaroi se kishte qenë në Korçë dhe se kur ishte kthyer në Pogradec, e kishte gjetur partneren të vdekur. Madje pretendoi se gjurmët e gjakut në banesë i kishte lidhur me faktin se “mendoi mos kishte therur ndonjë pulë”, për shkak të obsesionit të viktimës për pastërtinë.

“E doja. Mosha nuk më bënte përshtypje. Vij nga një familje e mirë dhe nuk mund të bëhem vrasës,” u shpreh ai gjatë marrjes në pyetje.

Pas ballafaqimit me provat – pamjet filmike, dëmtimet trupore të tij të marrë gjatë përleshjes, si dhe eksperimentin hetimor të kryer në vendngjarje – ai u thye. Pas 7 orësh marrje në pyetje, u pendua dhe pranoi autorësinë e vrasjes.

31-vjeçari rrëfeu se bashkëjetesa prej tre vitesh kishte nisur të degradohej muajt e fundit. Ai pretendon se viktima ishte bërë agresive dhe e dhunonte shpesh, sidomos nën efektin e alkoolit. Pikërisht për këtë, sipas tij, situata kishte dalë jashtë kontrollit ditën e ngjarjes.

Autori ka qëlluar partneren me thikë mbi 50 herë, sipas ekspertizës mjeko-ligjore. Pas krimit, është përpjekur të fshijë gjithçka, por pa sukses.

Ndaj tij tashmë është ngritur akuza për “vrasje me dashje në rrethana cilësuese” dhe “shkatërrim prove me zjarrvënie”. Do t’i nënshtrohet gjithashtu një vlerësimi psikologjik, për të analizuar gjendjen e tij mendore në momentin e krimit. Hetimet vijojnë.