Monika Kryemadhit i del fati, gjen unazën e shtrenjte ne SPAK: “Ku ta lë? Po bëj gati skenarin për…“

Ish-deputetja Monika Kryemadhi u paraqit këtë të martë në Prokurorinë e Posaçme, në kuadër të mbylljes së hetimeve për veprat penale për të cilat ajo dhe ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta, janë nën akuzë.

Ndërkohë që po hynte në ambientet e SPAK, Kryemadhi u përfshi në një episod të pazakontë. Ajo tha se kishte gjetur një unazë me diamant dhe rubin, sapo kishte zbritur nga automjeti, përballë institucionit.

“Gjeta një unazë dhe thoni pastaj që s’jam me fat. Është me rubin dhe me diamant, e kam gurin e fatit unë këtë. Kjo rrugë është nën vëzhgim. E gjeta sapo zbrita,” u shpreh Kryemadhi me humor, ndërsa komunikonte me gazetarët.

Ish-deputetja shtoi me ironi se unazën do ta dorëzojë në Prokurorinë e Posaçme ose do ta përdorë për të paguar avokatin:

“Po e çoj në SPAK, ose të paguaj avokatin. Mund ta ketë hedhur ndonjëra që është zënë, i ka thënë ‘nuk e dua unazën tënde’.”

Monika Kryemadhi e quajti një “telenovelë” gjithë procesin e ngritur kundër saj, Ilir Metës, dhe familjarëve dhe të njohurve të saj. Pasi doli nga godina e Prokurorisë së Posaçme, ku iu komunikua mbyllja e hetimeve, Kryemadhi foli për mediat ku shpjegoi pozicionin e saj.

“Është një proces që duhet marrë më shumë durim dhe qetësi. Shëndeti është më i rëndësishmi. Mamaja ime akuzohet për pastrim parash, akuzohet për pastruese! Mamaja ime ka blerë shpinë e vet dhe pretendohet se e ka blerë me paratë që ia kam dhënë unë. Mua më akuzojnë për fshehje të pasurisë”, tha ish-bashkëshortja e Ilir Metës, përcjell A2 CNN.

Ajo shpjegoi edhe shpenzimet që, sipas akuzës, janë bërë për llogari të saj në SHBA, nga kushëriri i saj Ilir Shatku. “Tani do të nxjerrim të dhënat e shpenzimeve nga llogaria e zotërisë, kur kemi qenë në Los Anxhelos dhe Disneyland dhe do shohim: Sa është shpenzuar për drekën? 1000 dollarë. Ishim 12 vetë, i bie nga 80 dollarë për person. Herë 4 vetë të Monikës, bëjnë 400 dollarë. Do të shihen shpenzime dhe nëse në fund unë kam tejkaluar 5 milionëshin e dhuratës, atëherë ILDKPI do të më gjobisë, nëse jo, jam në rregull me ligjin”, shtoi Kryemadhi. “Të gjitha këto janë telenovela që ne fatkeqësisht do t’i thejmë në film”. (A2 Televizion)