Një ngjarje e rëndë tronditi ditë më parë jo vetëm qytetin bregdetar të Vlorës, por gjithë opinionin publik shqiptar, ku efektivi i Policisë së Shtetit (tani i pezulluar), Ardian Isufi së bashku me mikun e tij, Leart Bino, një person me precedentë të mëparshëm penale dhunuan për një shishe ujë kamarierin 18-vjeçar, Aron Balaj.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar së fundmi dhe një prej efektivëve më të vjetër të Policisë Rrugore në Vlorë, Rexhep Llaçaj, i cili ka vendosur të flasë publikisht dhe të hedhë të tjera akuza mbi Isufin.
Llaçaj, me një karrierë prej 25 vitesh në radhët e bluve, ka akuzuar drejtpërdrejt Ardian Isufin, jo vetëm për përfshirjen e tij në ngjarjen e fundit, por edhe për fshehjen e një aksidenti të ndodhur vite më parë, më 24 janar të 2021, ku bashkëshortja dhe fëmijët e tij u përplasën nga një automjet teksa ishin duke kaluar vijat e bardha.
Si pasojë, gruaja e tij mbeti e paralizuar, ndërsa fëmijët që prej aso kohe jetojnë të traumatizuar nga ajo ngjarje, aksident i cili deri më sot nuk është hetuar asnjëherë.
*PAMJE NGA AKSIDENTI
“Më është aksidentuar gruaja dhe tre fëmijët te shkolla e natës, ku ngjarja nuk është zbardhur asnjëherë. Pasi e çova nusen në Tiranë, se theu dy këmbë, kokën, brinjën, pas 20 e ca ditësh që nusja filloi reagoi, fola me punonjësit e Policisë së Vlorës dhe më thanë që ngjarja nuk është zbardhur akoma”, ka treguar ai, ndërkohë që më tej ka bërë me dije se në kohën kur dhe ndodhi aksidenti, oficeri i Policisë Gjyqësore që ka pasur në dorë zbardhjen e këtij aksidenti, ka qenë Ardian Isufi.
Por, në vend të hetimit, çdo provë është zhdukur dhe ai nuk ka bërë asnjë përpjekje për zbardhjen e këtij aksidenti.
Llaçaj thotë se ka shkuar vetë për të kërkuar pamjet filmike në zonë, por i ishte thënë se “kishin ardhur policë përpara dhe i kishin fshirë”. Për më tepër, efektivi i Policisë pretendon se pas kërkesave të përsëritura për të mësuar mbi hetimin e aksidentit, Isufi, në cilësinë e shefit të Qarkullimit Rrugor në atë kohë dhe njëkohësisht epror i tij, e largoi nga sektori i qarkullimit dhe e transferoi te rendi.
“Në moment që unë më mbrapa kam qenë punonjësi i Ardian Isufit, kur ai ishte shef Qarkullimi i kam kërkuar disa herë për zbardhjen e ngjarjes dhe ai më ka larguar nga Policia e Qarkullimit më kaloi me Rendin”, ka shtuar Llaçaj, duke i bërë më tej thirrje Prokurorisë që të rihapë dosjen e bashkëshortes së tij, por edhe të hetojë të gjitha ngjarjet ku emri i Ardian Isufit përmendet për fshehje dhe manipulim provash.

Pjesë nga fjala e Rexhep Llaçaj:
Përshëndetje, quhem Rexhep Llaçaj, punonjës policie prej 25 vitesh . I bashkangjitem ngjarjes që ka ndodhur para 2-3 ditësh të dhunimit të një fëmije nga oficeri i Policisë, Ardian Isufi. Në lidhje me këtë kam pasur në 24 janar të 2021 një aksident ku Ardian Isufi ka qenë oficer ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore. Më është aksidentuar gruaja dhe tre fëmijët te shkolla e natës, ku ngjarja nuk është zbardhur asnjëherë.
Pasi e çova nusen në Tiranë, se theu dy këmbë, kokën, brinjën, pas 20 e ca ditësh që nusja filloi reagoi, fola me punonjësit e Policisë së Vlorës dhe më thanë që ngjarja nuk është zbardhur akoma. Kam ardhur në Vlorë, bashkë me djalin tim, dhe kam shkuar në shumë vende që kishte kamera dhe më thanë që mos u mundo kot se ngjarjen e kanë fshehur se kanë ardhur disa punonjës policie dhe i kanë fshirë kamerat.
Ndërkohë, pas 10 ditësh, te Shkolla e Natës është vrarë dhe një qytetar tjetër me mbiemër Beqiri dhe ngjarja u zbardh edhe ne trotuar edhe në rrugë e në të gjitha. Si ka mundësi që ngjarja e nuses sime u fshi, kur nusja ime ka ngelur sakate, në shtëpi dhe fëmijët shumë të traumatizuar që nga ai moment. Nuk është zbardhur asnjëherë ngjarja. Në moment që unë më mbrapa kam qenë punonjësi i Ardian Isufit, kur ai ishte shef Qarkullimi. i kam kërkuar disa herë për zbardhjen e ngjarjes dhe ai më ka larguar nga Policia e Qarkullimit më kaloi me Rendin.
Ndërkohë në kohën që është aksidentuar nusja ime ka qenë dhe një punonjës policie tjetër madhor të rrethit, dhe ngjarja nuk është zbardhur ende. Nuk e di arsyeja pse janë fshirë këto kamerat dhe nga kush janë fshirë.