Qeveria merr zyrtarisht pushimet. Edhe pse u njoftua si një mbledhje pune, kryeministri Edi Rama u ka komunikuar ministrave të tij se mbledhja e radhës do të jetë në fund të gushtit, dhe nga ky moment mund të nisin pushimet.
Pas një muaji pritet të mësohen edhe emrat e rinj të qeverisë dhe ministrat që do të marrin dhe një mandat tjetër, shkruan A2. Gjatë gjithë kësaj kohe, Rama ka kërkuar efikasitet nga puna e ministrave, duke u kërkuar monitorim në terren të aksionit për lirimin e hapësirave publike, apo asaj që Rama e ka quajtur reformë për zhvillimin e territorit.
Nuk kanë munguar herë pas here kritikat, ndërsa vetëm në fund të gushtit do të mësohet se si kanë performuar dhe sa e kanë bindur Ramën për të marrë edhe një mandat tjetër.
Po ashtu, kreu i qeverisë ka njoftuar edhe ndryshime në parti dhe kjo vjeshtë nuk do të jetë aspak e qetë për socialistët.
Ilir Mëngra, Vasilika Vjero, Blendi Sulaj dhe Gentian Keri do të jenë katër nënkryetarët e rinj në Bashkinë e Tiranës, pas dorëheqjes së atyre të vjetërve të cilët menjëherë ashtu si dhe kolegët nëpër rrethe zbatuan urdhrin e kreut të qeverisë, Edi Ramës.
Emrat e tyre u miratuan nga një grup pune i cili drejtohej nga ministrat Blendi Gonxhja, Ogerta Manastirliu dhe Petrit Malaj dhe do të prezantohen këtë të enjte nga kryeministri Edi Rama.
Pas kërkesës së këtij të fundit, i cili ditë më parë kërkoi hapjen e garës për nënkryetarët e rinj të Bashkisë, tre ministrat të cilët i qëndruan mbi “kokë” këtij procesi vendosën që Frida Pashako, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Jonida Halili të zëvendësohen nga katër figura të reja, por jo dhe aq risi sa i përket aktivitetit të tyre në detyra publike.
Konkretisht mësohet se nënkryetari i ri, Ilir Mëngra, i cili prej një viti ka mbajtur postin e Drejtorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të mbikëqyrë sektorin e punëve publike dhe do të rikthehet pas disa vitesh në Bashkinë e Tiranës.
Karriera e tij në administratë është e gjatë. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1996, ku mori titullin Inxhinier i Vendburimeve të Naftës dhe Gazit, Mëngra filloi karrierën e tij si Drejtues Teknik pranë kompanisë Gjeodrill sh.p.k.
Në vitin 2001, me një vizion për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e komunitetit, ai filloi një kapitull të ri në karrierën e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Nr.2 të Punëtorëve të Qytetit në Bashkinë Tiranë.
Prej vitit 2013 ai ushtroi detyrën e Shefit të Departamentit Teknik në kompaninë Albminiera, deri në vitin 2015, ku më pas mbajti pozicionin e Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit në Bashkinë Tiranë deri në shkurt të vitit 2019. Në këtë detyrë të rëndësishme, ai kishte përgjegjësi për drejtimin dhe koordinimin e aktiviteteve të agjencisë, duke përfshirë menaxhimin e parqeve, sigurimin e infrastrukturës për përdoruesit e hapësirave publike, etj.
Ilir Mëngra ju bashkua ekipit të DPSHTRR në Mars 2019, duke kontribuar në suksesin e institucionit fillimit si Drejtor i Drejtorisë së Regjistrimit të Mjeteve dhe më pas si Zëvendës Drejtor i Përgjithshëm. Në Korrik të vitit 2019, Mëngra u emërua si Drejtor Rajonal në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Tiranë. Ai u bë pjesë e historisë së suksesit të DPSHTRR-së, ku kontributi i tij në zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të transportit rrugor në një nga drejtoritë rajonale me numrin më të lartë të shërbimeve në vit, e ktheu atë në një nga objektet model për cilësinë e shërbimeve publike dhe skuadrën e përkushtuar.
Ndërkohë që në janar të 2024, ai u emërua nga kryeministri Rama, Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nënëkryetarja e dytë e cila pritet të prezantohet sot nga kreu i qeverisë është Vasilika Vjero, e cila dikur ka mbajtur postin e zv.ministres së Financave. Ky post u mbajt nga ajo për një periudhë kohore prej 4 vitesh, nga viti 2020 deri në 27 nëntor të 2024.
Më herët ajo ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve dhe më pas të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Ndërkohë që tani do t’i besohen në Bashkinë e Tiranës sektori i financave dhe zhvillimit ekonomik.
Blendi Sulaj është një emër i “freskët” te PS pasi në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit ai kandidoi për deputet nën siglën e socialistëve.
Ai më herët ka qenë pjesë e Partisë Republikane të Fatmir Mediut, teksa më vonë u reshtua në radhët e Lulzim Bashës ku dhe mbajti detyrën e kryetarit të FRPD-së. Burime për mediat bëjnë me dije se nga tani dhe tutje, ai do të mbikëqyrë në Bashkinë e Tiranës sektorin për territorin dhe menaxhimin e zhvillimit rural.
Ndërkohë, që Gentian Keri do të jetë nënkryetari i katër në bashkinë më të rëndësishme të Shqipërisë. Keri i cili më herët ka mbajtur për katër vite postin e kreut të Prokurimeve Publike mësohet se detyra e tij në Bashkinë e Tiranës do të jetë organizimi i administratës në këtë institucion.
Lidhur me këto emërime të reja nuk ka një reagim zyrtar nga vetë Bashkia e Tiranës, apo dhe kryeministri Edi Rama, i cili mesa duket që prej arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj më 10 shkurt të këtij viti, është duke i qëndruar vetë “mbi krye” punëve të Bashkisë.
Siç dhe theksuam më lart, burime për mediat kanë konfirmuar se kryeministri do të prezantojë ditën e sotme katër nënkryetarët e rij.