Gazeta Panorama drejt shuarjes? Merret vendimi i bujshem final nga pronaret!

Kompania jonë mediatike gjithmonë synon e punon që të ofrojë lajme me përmbajtje cilësore për lexuesit. Së fundmi, shqyrtuam mundësinë e mbylljes së gazetave print “Panorama” dhe “Panorama Sport”, në kuadër të një strategjie për dixhitalizim dhe përqendrimi në kanalet online, duke u përshtatur me trendet e zhvillimit teknologjik.

Por, bazuar në reagimet dhe kërkesat e shumicës së lexuesve tanë besnikë, dhe pas një analize të kujdesshme vlerësuam se gazetat në formën print kanë një vlerë të jashtëzakonshme që shkon përtej informimit, sepse përfaqësojnë një mënyrë të veçantë të lidhjes së lexuesve me lajmet, janë një traditë dhe një format i preferuar nga shumë prej tyre.

Për këtë arsye, pas konsultimeve me Bordin drejtues, presidentja e grupit “Panorama” znj. Fabiola Hysenbelliu mori vendimin e rëndësishëm për të vijuar botimin e gazetave print “Panorama” dhe “Panorama Sport”.

Ne do të vazhdojmë t’i sjellim ato në mënyrë të rregullt dhe me cilësi të lartë, duke ruajtur dhe perfeksionuar ehde më shumë stilin, thellësinë dhe profesionalizmin që ju njihni dhe që kanë bërë këto tituj kaq të dashur për ju. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të investojmë edhe në zhvillimin e platformave dixhitale, për t’u siguruar që të gjithë lexuesit të kenë akses në mënyrën që ata preferojnë.

 

 

Faleminderit që na mbështetni dhe që jeni pjesë e familjes sonë të madhe të lexuesve! Ju jeni motivimi ynë kryesor për t’u përmirësuar çdo ditë dhe për të sjellë lajme të vërteta, të besueshme dhe me ndikim!

(BalkanWeb)