Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Stamboll, ku një 38-vjeçar nga Mbretëria e Bashkuar ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje për mbjelljen e flokëve në një nga klinikat estetike më të njohura të qytetit. Pacienti kishte zgjedhur të kryente procedurën në klinikën “CINIK”, e pozicionuar në zonën elitare të Beşiktaş, e cila reklamohet shpesh si një nga destinacionet kryesore për kirurgjinë estetike në rajon.
Sipas raportimeve nga mediat vendase, operacioni, që zgjati rreth pesë orë, u zhvillua fillimisht pa komplikacione të dukshme. Megjithatë, pak pas përfundimit të procedurës, 38-vjeçari ka shfaqur shenja shqetësuese dhe komplikacione serioze, që çuan në transportimin e menjëhershëm drejt një spitali të afërt. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor në kujdesin intensiv, ai nuk arriti të mbijetojë.
Autoritetet turke kanë hapur menjëherë një hetim penal, duke shqyrtuar pistën e vrasjes nga pakujdesia, ndërsa trupi i viktimës është dërguar për autopsi, përpara se të niset drejt Mbretërisë së Bashkuar. Zyra e Jashtme britanike ka konfirmuar ngjarjen dhe ka bërë të ditur se po asiston familjen e viktimës dhe është në kontakt me autoritetet turke.
Rritja e rasteve alarmante në industrinë estetike
Turqia është kthyer në një destinacion shumë të kërkuar për ndërhyrjet estetike, falë çmimeve konkurruese dhe marketingut agresiv në rrjetet sociale. Sipas statistikave, vetëm gjatë vitit 2022, mbi 150 mijë qytetarë britanikë kanë udhëtuar drejt Turqisë për procedura të tilla – që nga mbjellja e flokëve, deri te ndërhyrjet në hundë, buzë dhe trup. Por, kjo bum e kërkesës është shoqëruar edhe me rritje të rasteve të komplikacioneve dhe vdekjeve, shpesh të lidhura me mungesën e standardeve mjekësore, keqmenaxhimin klinik apo mungesën e licencave të rregullta.
Klinika “CINIK” deri tani nuk ka dhënë një reagim zyrtar për këtë rast, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i kirurgjisë estetike ka ngritur shqetësimin për mungesën e rregullimit dhe kontrollit ndaj disa klinikave që operojnë me licenca të dyshimta apo staf të pakualifikuar.
Kujdes edhe në Shqipëri: Klinikat estetike në rritje, por pa kontroll të mjaftueshëm
E njëjta situatë po vërehet gjithnjë e më shumë edhe në Shqipëri, ku numri i klinikave të ndërhyrjeve estetike është shtuar ndjeshëm, sidomos në Tiranë dhe zonat turistike. Pavarësisht imazhit modern që shfaqin në rrjete sociale, shumë prej tyre operojnë me staf të papajisur me kualifikimet e nevojshme, ose me licenca të dyshimta.
Në këtë kontekst, autoritetet shëndetësore shqiptare duhet të ndërhyjnë me më shumë kontroll dhe rregull, duke inspektuar rreptësisht klinikat, pajisjet, kualifikimin e stafit dhe transparencën në marrëdhëniet me pacientët. Përndryshe, rreziku që raste të tilla tragjike të ndodhin edhe në vendin tonë nuk është aspak i largët. Pacientët duhet të informohen mirë, të kërkojnë dokumentacion dhe të mos bëhen viktimë e reklamave të rreme që prekin shëndetin dhe jetën e tyre.