Koncerti i Noizyt u përdor si pretekst për të rrafshuar 4.2 hektarë park në zemër të Tiranës; plani për kulla po ecën përpara me bekimin e Ristanit dhe heshtjen e institucioneve
Kryetarja në detyrë e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, ka urdhëruar kryerjen e një studimi për kthimin e një pjese të Parkut të Liqenit Artificial në zonë zhvillimi me ndërtime. Studimi, sipas burimeve, do t’i dërgohet për miratim Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Këshillit Kombëtar të Territorit, ku kryetar është kryeministri Edi Rama.
Ky zhvillim përforcon paralajmërimin e “Pamfleti”-t të datës 27 maj 2025, për një skemë që synon ndërtimin e kullave në një zonë tjetër të parkut, këtë herë duke përdorur si pretekst një koncert të këngëtarit Rigels Rajku, i njohur si Noizy.
Dhjetë ditë para zgjedhjeve të 11 majit 2025, Bashkia e Tiranës i dha Noizyt një leje të përkohshme dyjavore për të përdorur hapësirë publike në park për një koncert. Sipas lejes së firmosur nga Sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë, Jonida Halili, reperi kishte të drejtë të përdorte një sipërfaqe të kufizuar dhe me detyrimin për të rehabilituar çdo dëm pas eventit.
Por në praktikë, me miratimin në heshtje të Anuela Ristanit dhe institucioneve të tjera si IKMT, Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe Policia e Shtetit, Noizy zaptoi e rrafshoi 42 mijë m2 park, duke shkulur pemë, shkurre dhe duke e shtruar me çakëll.
Tani, dy muaj pas koncertit, kjo hapësirë po tjetërsohet në një shesh ndërtimi për kulla. Burimet tregojnë se Babloku i ka rezervuar këtë sipërfaqe për dy klientë të tij: biznesmenin Ilir Trebicka dhe Ylli Ujkën.
Kryetarja Ristani ka udhëzuar Drejtorinë e Zhvillimit të Territorit të Bashkisë që të përgatisë një studim për kthimin e zonës në zonë zhvillimi. Ky dokument pritet të përfundohet brenda gushtit 2025 dhe t’i dorëzohet për miratim Këshillit Bashkiak dhe më pas AKPT dhe KKT.
Ky plan nuk do të ishte i mundur pa një marrëveshje paraprake mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit në Kryeministri, për ta hequr këtë sipërfaqe nga statusi i parkut dhe zonës së mbrojtur.
Në këtë skenar, Noizy është përdorur si mjet për të legjitimuar shkatërrimin dhe transformimin e parkut në një tjetër kantier ndërtimi, në funksion të interesave klienteliste./Pamfleti