Dedë Çoku është peshkatari që u mbyt dje në lumin Mat, teksa kishte dalë bashkë me një shokun e tij për të hapur rrjetat e peshkimit. Ai u fut në ujë por nuk doli më i gjallë prej andej, derisa pas disa orësh polumbarët e RENEAS nxorën trupin e pajetë.
Djali i tij, Danieli ka bërë një postim prekës, ku i jep lamtumirën të atit, që për të ishte gjithçka. I riu është me aftësi të kufizuara dhe pas karrocës, gjendej gjithë babai, Deda, që e shëtiste në rrugët e qytezës së vogël të Rubikut.

“Shpirt i bukur me le, sot ishte dita e fundit qe me zerin dhe sytë e tu me frymëzove te vazhdoj nje dite te bukur, lamtumire shpirt”, shkruan Danieli, teksa ndan një fotografi me të atin.
Edhe gazetari Gjergj Marku rrëfen se e ka njohur Dedën. Ai e kujton si një punëtor të kudogjendur në Rubik, përherë i gatshëm për të shërbyer pranë Qendrës Kulturore të qytetit, sa herë që atje kishte ndonjë ngjarje apo aktivitet.
“Po e percjell kete informacion jo vetem si kronike, por shume me teper se kaq, nje dhimbje e madhe familjare por dhe komunitare per Dedë Çokun nga Rubiku, qe e humbi jeten ne lumin Mat, gjate peshkimit qe po bente atje, dhe jo thjeshte si pasion, por dhe si nevoje ekonomike”, shkruan gazetari.