Një incident i pazakontë dhe i transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçës, ku 26-vjeçari Kostandin Dramolli, ish-portier i njohur i futbollit shqiptar, ka thyer xhamat e godinës së Bashkisë në shenjë proteste ndaj aksioneve të qeverisë për lirimin e hapësirave publike.
I riu u arrestua nga policia e Korçës.
Ngjarja u filmua dhe u shpërnda në kohë reale nga vetë Dramolli, i cili gjatë transmetimit dëgjohet të përmendë emrin e kryeministrit Edi Rama teksa thotë: “Shiko si sulmohet bashkia”. Sipas tij, revolta erdhi si pasojë e prishjes së disa strukturave në lagjen nr. 14, ku ai jeton prej vitesh.
Kostandin Dramolli, i njohur me emrin artistik “Çekiçi 14” pas tërheqjes nga futbolli, është aktualisht aktiv në skenën e muzikës “rap”. Emri i tij është i lidhur ngushtë me zonën ku ka jetuar dhe me një identitet rebel, të cilin nuk ka hezituar ta shfaqë edhe publikisht.
Në karrierën e tij sportive, Dramolli ka qenë pjesë e ekipeve si Skënderbeu, ku është shpallur kampion me ekipin U-19 – Bylis, Pogradeci, Maliqi dhe Pierikos në Greqi.
Pas incidentit, në rrjetet sociale janë ndezur debatet, ndërsa burime pranë autoriteteve bëjnë me dije se i riu është person me precedentë penalë dhe më herët është dënuar me burg nga gjykata.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje tensionet sociale që shoqërojnë aksionet e lirimit të hapësirave publike, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Bashkia e Korçës në lidhje me situatën.
“Specialistë për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin K. D., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi rreth orës 02:15, ka goditur me gurë xhamat e Bashkisë Korçë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grushte në fytyrë një 14- vjeçar
Më datën 02.08.2025, në komisariatin e policisë Pogradec ka bërë kallëzim shtetasi B. B., 41 vjeç, banues në fshatin Çezmë se më datën 01.08.2025, është larguar nga banesa vajza e tij e mitur. Po punohet për gjetjen e saj.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filluar procedimi penal për shtetasi. R. P., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga. Si pasojë ka ngelur i dëmtuar vetë 30 vjeçari, i cili po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i referuan materialet në Prokurori, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.