Policia e Vlorës, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale dhe RENEA-n, ka arrestuar Florian Plakun, i njohur edhe me emrat Florian Serjani dhe Florian Mamo, 42 vjeç, nga Vlora.
Kapja e tij u realizua në ambientet e hotelit “Doko” në Radhimë, ku ai po qëndronte me mikun e tij, Julian Aliaj.
Një skuadër operacionale e Policisë Shtetit, e drejtuar nga prokurori i Tiranës, Ridvan Suka, ka arritur të lokalizojë Plakun, i cili është i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjas në zonën e Orikumit.
Operacioni është përqendruar në Orikum që prej katër muajsh, duke mos arritur të zbulojnë asnjë gjurmë nga ai, por përgjimet nga miqtë dhe familjarët e tij tregonin se ai ndodhej në zonë.
Gjatë ditës së djeshme, policia arriti ta lokalizonte Plakun me ndihmën e një berberi nga Vlora, i cili ishte porositur nga miqtë e Plakut për të shkuar në hotelin ku ai qëndronte.
Berberi u ndoq nga agjentët e operacionaleve, të cilët e panë duke hyrë në ambientet e hotelit për të qethur Florian Plakut.
Pas verifikimit të vendndodhjes, RENEA bënë të mundur ndërhyrjen dhe arrestuan Plakun, pa bërë asnjë reagim.
Gjatë kontrollit në dhomën e tij, u gjetën dy pistoleta, ndërsa bashkë me Plakun u arrestua edhe miku i tij, Julian Aliaj për akuzën “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit”.
Aliaj është proceduar gjithashtu për “Përkrahje të autorit të krimit” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit” dhe do të ndiqet nga prokuroria e Vlorës.
Florian Plaku është transferuar në Tiranë dhe pritet të dalë para gjykatës për të mësuar masën e “arrestit në burg”.
Ai akuzohet si një nga personat që ka ekzekutuar ish-policin e burgjeve, Gentjan Bejtja, mik të Ervis Martinaj.
Më parë për këtë ngjarje është arrestuar Edison Haxhiaj për akuzën “Sigurimi i kushteve për të kryer vrasje”.
Ndërsa, Ilirjan Brahimi miku i Plakut është në proces gjykimi për përfshirje në këtë krim, i cili është kunati i Roan Brahimi.
Mësohet se Julian Aliaj rezulton i arrestuar në Itali në vitin 2019 për trafikim droge dhe ka qenë pjesë e bandës kriminale të drejtuar nga Florian Plaku, i njohur ndryshe si “Pole Qorri”. Gjithashtu edhe Plaku u arrestua në atë kohë për të njëjtin krim.
Gomonet dhe kanabis ngarkoheshin në Shqipëri dhe transportoheshin në Brindizi, ku më pas droga shpërndahej nëpër qytete të ndryshme italiane, si Roma, Napoli, Milano dhe Firence.