Pretendime për “mbjellje misri” në oborrin e shkollës, reagon Bashkia Kamëz: Pretendimet, të pavërteta

Pretendime për “mbjellje misri” në oborrin e shkollës, reagon Bashkia Kamëz: Pretendimet, të pavërteta

Bashkia Kamëz ka reaguar pas publikimit të një lajmi ku pretendohej se oborri i shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Basha” ishte mbjellë me misër dhe se trualli pranë Qendrës Shëndetësore ishte pushtuar për interesa private.

Në reagimin zyrtar, bashkia thekson se pretendimet janë të pavërteta, ndërsa siguron qytetarët se ambientet publike të dedikuara për nxënësit dhe qytetarët janë të mbrojtura dhe të administruara vetëm nga institucionet përkatëse.

“Fotoja e publikuar në media nuk i përket ambientit të shkollës, por një prone private jashtë rrethimit të institucionit,” – thuhet në reagimin e bashkisë, e cila nënvizon se asnjë hapësirë publike nuk është keqpërdorur apo shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme.

Bashkia Kamëz gjithashtu ftoi mediat dhe qytetarët të verifikojnë në terren gjendjen reale të ambienteve dhe të mos bien pre e informacionit të pasaktë.
Ky reagim vjen si dëshmi e angazhimit të bashkisë për transparencë dhe për mbrojtjen e hapësirave publike në shërbim të komunitetit.