Arratisja e papritur e Endri Fugës në Xhakarta, Indonezi, ish-“eminencës gri” të Edi Ramës dhe arkitektit të propagandës së qeverisë për më shumë se një dekadë, ka sjellë një tronditje të thellë në ekuilibrin mediatik të Rilindjes.
Pas ikjes së tij dhe arrestimit të bujshëm të kryebashkiakut Erion Veliaj, po del hapur përçarja në radhët e “kazanit” mediatik të ndërtuar me kujdes prej vitesh nga Rama e Fuga. Grupi i gazetarëve që dikur funksiononin në një dirigjim të unifikuar propagandistik, tashmë është ndarë në dy kampe: ata që mbështesin Veliajn dhe po sulmojnë drejtësinë, dhe ata që heshtin apo janë në pritje të orientimit të ri nga kryeministri.
Ishte dosja e SPAK me përgjimet tronditëse ku Veliaj, nga qelia e paraburgimit në Durrës, jepte udhëzime të drejtpërdrejta për një fushatë sulmi në mediat e tij besnike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarit të çështjes, në bashkëpunim me të vëllanë, Arbër Veliaj.
Në dosje përmendeshin me emër media dhe gazetarë si: Gazeta Dita, Gazeta Tema e Mero Bazes, Shqiptarja.com dhe Report TV të Carlo Bollinos, apo Mira Kazhani (Tiranapost), të cilat, sipas përgjimeve, koordinohen për të prodhuar artikuj, intervista dhe shpërndarje të qëndrimeve pro-Veliaj dhe kundër drejtësisë. Këto media nxorën kokën dhe treguan hapur se janë strukturat që Fuga ndërtoi dhe menaxhoi që prej vitit 2013, në shërbim të propagandës së qeverisë, por që me kohë kaluan nën kontrollin e Veliajt.
Fuga dhe Veliaj, lidhja e vjetër që përmbysi balancat
Fuga nuk ishte thjesht një teknokrat i propagandës. Ai ishte një strateg me fuqi të pakufishme mbi mediat, ministrat dhe oligarkët. Por edhe një mik personal i Veliajt që prej kohës së “MJAFT!”. Në vitin 2002, ai ishte pjesë e themeluesve së bashku me Erion Veliajn, Arbi Maznikun dhe Marinela Likën. Që nga ajo kohë, Fuga mbeti njeriu i lidhur ngushtë me Veliajn në çdo hap.
Por miqësia dhe aleanca strategjike nuk ishte vetëm mes Fugës dhe Veliajt. Që në vitet 2006–2007, në kulmin e luftës kundër Fatmir Mediut dhe kur Mero Baze ishte prishur me Sali Berishën, nisi një bashkëpunim i ngushtë mes Bazes, Veliajt dhe Fugës. Treshja funksionoi për vite të tëra si një front i bashkuar në opozitë dhe më pas në pushtet, duke ndarë mes tyre misionin e ndërtimit të një propagande të sofistikuar dhe të pamëshirshme ndaj kundërshtarëve. Ishin këta që ndërtonin narrativën, orientonin opinionin publik, dirigjonin mediat dhe bënin presion ndaj institucioneve.
Kjo aleancë ka zgjatur më shumë se një dekadë dhe është forcuar në periudha kyçe të pushtetit të Edi Ramës. Këta kanë qenë në një aleancë të fortë me njëri-tjetrin nga kjo periudhë deri më sot dhe mesa duket Mero Baze nuk po kursen as Edi Ramën, për të cilin thonë se është babai i tij ideologjik dhe i jep këshilla si të bëjë politikë.
Mesa duket, gazetari Mero Baze është vënë në një pozicion antagonist me Ramën, pasi ky i fundit ka dhënë urdhër për arrestimin e Veliajt dhe ka përzënë me shkelma Fugën, i cili ishte interlokutori i qeverisë me dyshen Bollino–Baze. Kjo e bën edhe më të fortë përplasjen aktuale, ku Baze godet drejtpërdrejt Ulsi Manjën, por në fakt synon Edi Ramën si autorin e fundosjes së Veliajt.
Ikja e Fugës
Pas dorëheqjes nga drejtimi i MIA në mars 2023 me pretendimin se do të angazhohej në fushatën e PS, Fuga nuk u rikthye më në krah të Ramës. Faktikisht, u përjashtua në heshtje pas përplasjes që nisi pikërisht në këtë kohë mes kryeministrit dhe Veliajt. Nuk pati emërim të ri në MIA për 15 muaj rresht, derisa më 25 qershor 2025 Manjola Hasa u emërua drejtoreshë, duke konfirmuar përfundimisht përzënien e Fugës. Ky i fundit ishte kthyer në një pushtet paralel, që drejtonte komunikimin publik, favorizonte kontrata, dhe menaxhonte të gjithë makinerinë e PR-it qeveritar sipas axhendës së tij dhe aleatëve të tij, si dhe media që u përgjigjeshin vetëm atij.
Sot, pas arrestimit të kryebashkiakut dhe arratisjes së Fugës, kjo rrjetë është hedhur në sulm të drejtpërdrejtë kundër sistemit të drejtësisë dhe indirekt kundër vetë Edi Ramës. Fushata është e qartë: Veliaj paraqitet si viktimë, SPAK si dorë e zezë, dhe gjyqtarët si të kapur nga politika. Media si Tema, Dita, Shqiptarja, Report TV, etj., janë aktivizuar në këtë linjë të mbrojtjes së Veliajt, duke sfiduar edhe “komandën qendrore” të Ramës. Në anën tjetër qëndrojnë mediat të kontrolluara nga Edi Rama, të cilat kanë zgjedhur heshtjen strategjike. Top Channel, i pozicionuar qartësisht pro qeverisë. TV Klan dhe ABC News, tashmë të afruara me qeverinë përmes pronarëve dhe marrëdhënieve të biznesit, kanë shmangur raportimin e thelluar për arrestin e Veliajt dhe kanë refuzuar të përfshihen në sulmet ndaj SPAK.