Policia e Tiranës ka identifikuar personin që goditi me grusht personazhin e rrjeteve sociale Genard Hajdini dhe babain e tij, 4 ditë më parë në një lokal në rrugën Bardhyl në Tiranë.
Kështu, ka nisur hetimi në gjendje të lirë për 40-vjeçarin Sh.G. dhe për një vajzë 25-vjeçare me inciale A.P.
Policia sqaron se 40-vjeçari akuzohet për plagosje të lehtë me dashje. Pas debatit verbal në lokal me Genard Hajdinin dhe babain e tij, 40-vjeçari i goditi të dy me grusht.
Ndërsa 25-vjeçarja akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo për shkak se në momentin e sherrit, e reja ka qenë nën shoqërinë e 40-vjeçarit dhe gjatë marrjes në pyetje nga policia, ka dhënë dëshmi kontradiktore, me qëllim për të shpëtuar të dyshuarin nga ndjekja penale.
“U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. G., 40 vjeç, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, dhe për shtetasen A. P., 25 vjeçe, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Nga hetimet e kryera dyshohet se më datë 03.08.2025, në ambientet e një lokali në rrugën “Bardhyl”, shtetasi Sh. G. ka goditur me grushte shtetasit P. H. dhe G. H. (babë e bir), ndërsa shtetasja A. P., e cila shoqërohej me 40-vjeçarin, në momentin e ngjarjes, ka dhënë deklarime kontradiktore, me qëllim shmagien e përgjegjësisë penale për shtetasin Sh. G.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Hetimi nisi pas denoncimit që kishte bërë në polici Genard Hajdini.
Genard Hajdini dhe babai i tij u dhunuan në orën 01:00 të mëngjesit të datës 3 Gusht, në një lokal në rrugën “Bardhyl” në Tiranë. Të dy morën trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës, dhe pas disa orësh u larguan.
Personazhi i njohur i rrjeteve sociale Genard Hajdini dhe babai i tij janë dhunuar nga një person i paidentifikuar.
Ngjarja ka ndodhur në orën 01:00 të mëngjesit të datës 3 Gusht, në një lokal në rrugën “Bardhyl” në Tiranë.
Genard Hajdini ka qenë së bashku me babain në lokal kur u goditën me grusht në fytyrë nga një person i paidentifikuar.
Ai dhe babai u dërguan në Spitalin e Traumës për të marrë mjekim për goditjet në fytyrë. Gjendja e tyre nuk ishte në rrezik për jetën.
“Na rrafi njëri na bëri peshk fare, ishte i fortë, i fortë i dheut. Po fajin e kishte dhe çik baba se foli me zë të lartë. Po dhe ai vetë e krujti se i ra babës me grusht të parit”, ka thënë vetë Genard Hajdini në një video të botuar prej tij nga Spitali i Traumës ku mori mjekim në momentet e para.
Pas daljes nga spitali, Genard Hajdini bëri denoncim në polici për ngjarjen.