Grida Duma drejt rikthimit në PD? Sali Berisha gati per ti ofruar postin më të rëndësishëm, do jetë…

Një zhvillim i papritur pritet të trazojë politikën shqiptare. Grida Duma, ish-deputetja dhe një figurë e njohur televizive, pritet të largohet nga Top Channel për t’u rikthyer në Partinë Demokratike, këtë herë si kandidate për Bashkinë e Tiranës. Ky rikthim vjen në një kohë kyçe, pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ka krijuar një boshllëk të madh politik në kryeqytet.

Sipas burimeve, Duma ka marrë një ofertë direkte nga lideri i opozitës, Sali Berisha, për të drejtuar betejën e PD-së për Tiranën në zgjedhjet e parakohshme që priten të mbahen këtë vjeshtë.

Nga ekrani në fushën e betejës politike

Lajmi i mundshëm për rikthimin e Dumës ngre pyetje mbi strategjinë e saj politike. Ajo u largua nga PD-ja në kulmin e përçarjes brenda partisë, duke zgjedhur të shmangte politikën aktive dhe të kalonte në media, ku mori drejtimin e emisionit politik “Top Story”.

Por, siç duket, ky kalim nuk ishte një largim përfundimtar. Shumë analistë dhe burime politike e shohin këtë periudhë si një hap taktik për rehabilitimin e figurës së saj publike. Përmes ekranit, Duma ka arritur të ndërtojë imazhin e një zëri të arsyes dhe të një udhëheqëseje me potencial, duke fituar një kapital të ri politik dhe mediatik. Ky kapital pritet të jetë një aset i vyer në garën për Tiranën.

Partia Demokratike ndodhet përballë një tronditjeje të re të brendshme, teksa pas humbjes dramatike në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kërkesat për riformatim të strukturave dhe organizimin e një Kuvendi të jashtëzakonshëm po shtohen nga zëra kritikë brenda dhe jashtë selisë blu. Kandidatura e parë që ka shpallur publikisht synimin për të marrë drejtimin e kësaj force politike është ajo e ish-deputetit Myslim Murrizi. Në një intervistë televizive, ai tha se ka nevojë për një reformim të Partisë Demokratike dhe ndryshim të lidershipit të saj. Si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Murrizi pohon se përgjegjësia për humbjen në 11 Maj nuk është vetëm e Berishës, ndaj propozon mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm për analizimin e situatës dhe riformatim të strukturave drejtuese.

“PD në deklarimet publike, por edhe në pohimet e zotit Berisha është thënë që do presin raportin e OSBE/ODIHR dhe do të mblidhen. Por unë mendoj se është në limite, pasi në Prill është bërë Kuvendi, por nuk ka asgjë të keqe që të bëhet një Kuvend të jashtëzakonshëm për të kompozuar një Këshill Kombëtar tjetër dhe një Kryesi tjetër, duhet të lëvizë. Përgjegjësia nuk mund t’i ngarkohet një individi”, tha Murrizi. Nënkryetarët, sekretariati dhe kreu i Këshillit Kombëtar sipas tij duhet të mbajnë përgjegjësi, por te drejtuesit politik të qarqeve kërkon vendime konkrete. “Të gjithë drejtuesit politik kanë përgjegjësi, të cilët e kërkuan apo ishin pjesë të pazarit kur Berisha ishte në arrest, dhe kanë marrë rezultat se lista e mbyllur nëse kanë moral duhet të japin dorëheqjen si drejtues politik, madje duhet të konsiderojnë edhe mandatin”, u shpreh Murrizi.

Ndërsa dorëheqjen e liderit Berisha nuk e mendon, duke dalë kundër edhe “nenit Basha” që sanksionon largimin e kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve. Sipas tij, zgjidhja mund të jetë votëbesimi te anëtarësia, duke u kthyer te statuti i Dhjetorit 1990. “Unë kam që nga 8 Dhjetori 1990 në PD dhe këto nenet me emra individësh të hartuar në kushte emocionale, kanë futur dhe emrat neni Bardhi, Noka, Gjekmarkaj, Murrizi, këto janë qesharake. Statuti i PD, modeli më i mirë është ai i hartuar në 12 Dhjetor 1990 dhe për mua duhet të kaloj në votëbesim”, tha Murrizi. Por sërish tregon se ka ambicie brenda radhëve të Partisë Demokratike, duke shpallur kandidaturën nëse në selinë blu do të ketë zgjedhje për lidershipin. “Nëse hapet gara, nëse do të ketë garë për kryetar partie, unë por edhe të tjerë, do ta konsiderojmë marrjen pjesë në gare, pasi nuk është me emërim. Por që nëse Berisha tërhiqet, dhe nuk do të ndikojë në garë, të jetë i bindur që do të jetë një garë e fortë me plotë emra dhe unë nuk mendoj se vuan për emra për kryetar”, përfundoi Murrizi.

Maliqi godet listën e mbyllur dhe drejtuesit politik

Në të njëjtën linjë kritike, edhe ish-deputeti Lefter Maliqi ka ngritur zërin ndaj strukturave të PD-së, sidomos ndaj drejtuesve politikë në qarqe dhe kandidatëve të listës së mbyllur, të cilët i cilëson si përgjegjës për dështimin. Sipas tij, në qarkun e Beratit, ku ai garoi në emër të Partisë së Lirisë, u zhvillua një lojë e pistë e brendshme brenda opozitës, që çoi në djegien e mandatit të tretë. Maliqi akuzon drejtpërdrejt drejtuesin politik të PD-së në Berat, Enno Bozdo, se ka krijuar frymë përçarëse dhe ka punuar vetëm për disa emra të përzgjedhur, duke e lënë opozitën pa koordinim dhe pa strukturë reale në terren. Ai e konsideron sistemin zgjedhor kriminal, sidomos për shkak të listave të mbyllura që, sipas tij, prodhuan deputetë pa mbështetje popullore. “Unë nuk i heq asnjë presje masakrës elektorale, por nga ana tjetër, që në daljet e para televizive dhe më pas, kam zë kritik edhe brenda kampit opozitar. Pra, përveç blerjes së votave, përdorimit të administratës, faljes së gjobave, dhënies nga 100 mijë lekë pensionistëve, bandat, apo edhe manipulimi i votave të emigrantëve.

Por, nga ana tjetër, PD, si partia më e madhe, se unë isha drejtues politik i Partisë së Lirisë në Qarkun e Beratit dhe mora 5 mijë e 222 vota, pa u hapur kutitë. Se jam i bindur se një pjesë të votave të mia janë marrë nga brenda kampit opozitar, ashtu siç ka ndodhur edhe brenda kampit të majtë. Por KQZ-ja e famshme thoshte gabim njerëzor. Faktikisht janë për burg të githë numëruesit. Vetë sistemi zgjedhor është kriminal, jo vetëm për listat e mbyllura. Në Qarkun e Beratit unë duhet të isha në listë të mbyllur për shkak të mbështetjes popullore, nga të majtë dhe të djathtë. Ndërkohë, për Bashkinë e Kuçovës vijoj ende betejën ligjore. Sali Berisha është në mision, por u dha besim të tepruar disa drejtuesve politik dhe disave në listat e mbyllura, të cilët e shpërdoruan besimin që ai u dha.

Berisha nuk ka detyrim vetëm për këta 42 deputetë që dolën, se me gjithë koalicionin 50 deputetë. Por Berisha ka detyrim të jashtëzakonshëm, për ata qindra mijëra demokratë, të cilët qëndruar për 338 ditë poshtë ballkonit të tij. Ndërkohë, këta 42 deputetë të PD, mbi gjysma e tyre nuk e panë një herë atë dritare dhe kjo doli për shkak të listës së mbyllur.  Sali Berisha është në një mision, prandaj këtë mision duhet ta përmbushi me sukses, duke marrë vendime të forta, duke nisur nga mosnjohja e zgjedhjeve te protestat. Ata edhe mund të hyjnë në Kuvend, sa të betohen dhe të mos shkojnë më, deri sa të bllokohet jeta parlamentare. Krahas kësaj duhet dhe një riorganizim i PD-së. Që të fitosh një betejë, duhet të kesh një skuadër të mirë sa kundërshtari, ose më të fortë se kundërshtari.

PD pati disa gabime, se në disa degë kishte mangësi në seksione, grupseksione apo edhe disa drejtues të degës apo Qarkut nuk punuan siç duhet.  Në Qarkun e Beratit ishte një frymë përçarëse brenda opozitës, madje mandati i tretë u dogj drejtpërdrejt nga drejtuesi i Qarkut të PD-së, i cili nuk krijoi frymën, nuk ndau detyrat dhe favorizonte vetëm disa kandidatë të caktuar. Qëllimi im nuk ka qenë të bëhem deputetë, por të bëhem drejtues lokal, se në Kuvend vetëm ngre zërin, por nuk u jep zgjidhje hallit të qytetarëve”, tha Maliqi në Ora News.