Komploti i Edi Ramës brenda PD-së: Pse Berisha po e s*lmon hapur Belind Këlliçin?

Si Edi Rama përdori nominimin e Këlliçit për të goditur Erion Veliajn, për të mbajtur opozitën të ndarë dhe për të përfituar nga rivalitetet e brendshme të PD-së…

Nominimi i Belind Këlliçit si kandidat për kryetar bashkie i opozitës në vitin 2023, erdhi si vullnet i Sali Berishës, por më shumë si një manovër e Ilir Metës. I cili, ende në fronin e Presidentit të Republikës, kujtonte se ka ende fuqi për intriga kundër Edi Ramës.

Por siç e treguan faktet; si loja e Metës, ashtu edhe vullneti i Berishës, ishin një shkelje me të dyja këmbët, në kurthin e mirëplanifikuar që kishte ngritur Edi Rama.

I cili, duhet thënë, qoftë edhe pse është në pushtet shumë gjatë tashmë, qoftë se nuk është amator, por edhe se ka këshilltarë dinakë, kurthet i përgatit me kujdes dhe që herët, me një distancë strategjike.

Belind Këlliçi, (që hyri në një lojë pa ja ka ditur fillimin, as fundin, e as skenarin, por vetëm lakminë) rezultoi një mekanizëm i përgatitur me kujdes nga Edi Rama për të goditur Erion Veliajn, pa e rritur opozitën. Një plan djallëzor, i përgatitur në të gjitha detajet e tij, për ta përdorur Këlliçin, si denoncues dhe denigrues i kryebashkiakut të Tiranës.

Të ashtuquajturat protesta përpara bashkisë kishin aq pak njerëz, pasi Sali Berisha nuk e mobilizoi asnjëherë ushtrinë e tij, e cila edhe pse ka rënë në numër, ende nuk e ka braktisur. Kjo u pa gjatë vitit të arrestit në shtëpi, kur rruga poshtë banesës mbushej çdo natë me “pelegrinët e doktorit”.

Situata në protestat qesharake para bashkisë patën vetëm mbështetjen Ardjana Kalasë, apo edhe sforcon e Ilir Metës për të dërguar atje Tedi Blushin.

Por që nuk se arritën ndonjë gjë. Madje Adriana Kalaja, për gjithë atë përpjekje ku u çorr e nuk la kërcënim verbal pa bërë në video virale, nuk u zgjodh as deputete. Duke i treguar të gjithëve që kërkonin të ndiqnin shembullin e karrierës së saj, që nuk mund të bëhesh politikane, nga aktivizmi i rrugës.

Këlliçi, në fjalë të tjera u duk që në fillim se nuk ishte i pëlqyeri i Sali Berishës, ishte thjesht një negociator i disa korridoreve. Në fillim me Ilir Metën, me pjesë të mazhorancës, e më pas me lobe në SHBA.

Negociatat që Berisha dalëngadalë i mori në duart e veta, qoftë me Edi Ramën, siç u provua në bisedimet për Kodin, amnistinë, lejet e ndërtimit etj., etj., por edhe ato me ndërkombëtarët. Ku harxhoi qimet e kokës për të hequr ‘Non Gratën’. Tani ka frikë se mos i zbulohet mekanizmi i gjetjes së parave dhe e kthen të gjithë pushtetin e tij në PD, në një gërmadhë të vërtetë.

Po përse Berisha, këto ditë, sulmoi Këlliçin me punonjësit e tij mediatikë më të afërt?

Pra duke u identifikuar qartësisht se nga i vjen silura e fuqishme? Sipas të gjitha gjasave, ky gur është hedhur për të vrarë më shumë se dy zogj.

Në radhë të parë, për ta stepur Belindin që në shtatorin të tentojë kreun e grupit parlamentar.

Dhe e dyta, më e rëndësishmja për Berishën, siç e treguan edhe sulmet e njerëzve të tij ndaj Këlliçit, janë denoncimet apo ecejaket e deputetit të PD-së në SPAK. Sali Berisha është i terrorizuar se pas çdo lëvizje të Belindit ka një kundërgoditje të Prokurorisë Speciale për të.

I tensionuar sidomos për Argitën e Shkëlzenin, Berisha tani sheh hije ngado dhe nuk sheh më larg se fantazmat e tij. Rama, këtë e ka kuptuar prej kohësh dhe e ushqen me anë të negociatorëve me përralla që e frikësojnë doktorin natën.

Ndërkohë nga ana tjetër, furnizon Shkëlzenin me “argumente” nga fusha e ndërtimit, që në mos shumë, ca para i çon në xhepin e tij e të familjes. E kështu shtyhet gjithçka, që nga vapa, e deri te shpenzimet e pushimeve. Të paktën sa të vijë shtatori, se ndonjë gjë del rrugës. Kurse Edi nga ana tjetër, përgatit fantazmën e re për doktorin, e shkrihet së qeshuri me oligarkët që u jep leje në emrin e familjes së Berishës./Pamfleti