Publicisti dhe dramaturgu i njohur, Artur Zheji, u përcoll sot për në banesën e fundit, pas ndarjes së papritur nga jeta fundjavën e kaluar në Sarandë. Por humbja e tij nuk është vetëm një dhimbje për botën e medias dhe kulturës, ajo solli në vëmendje edhe një lidhje të hershme miqësie, të ndërlikuar e plot kode, me kryeministrin Edi Rama.
Në mesazhin e tij ngushëllues, Rama e cilësoi Zhejin si “mik të kohëve të tjera”, një frazë që tingëlloi më shumë si një gjuhë e brendshme mes dy njerëzve që ndanë rini, kujtime dhe debate.
Interesant është fakti se vetë Zheji, dymbëdhjetë vite më parë, në një intervistë, kishte përdorur një përkufizim të ngjashëm për marrëdhënien e tij me Ramën. Ai kishte theksuar se nuk bëhej fjalë për një “shoqëri të prishur”, por për “një shoqëri tjetër”, një mënyrë për të treguar distancën që sollën politika dhe jeta publike, pa e mohuar lidhjen e hershme shpirtërore.
(Foto: Në rreth Artur Zheji në fillore)
Në atë intervistë të vitit 2013, Zheji fliste me ton kritik, por edhe nostalgjik, për raportet me njerëzit e politikës, përfshirë Ramën, Berishën, Nanon e Metën. Ishte një reflektim mbi kohën, pushtetin dhe miqësitë që shpesh deformohen nën peshën e ambicieve.
Sot, me ndarjen nga jeta të Zhejit, fjalët e Ramës dhe fraza të tilla të koduara marrin kuptimin e një komunikimi të fundit mes dy miqve që i bashkoi rinia, arti dhe filozofia, por që i ndau politika.
Artur Zheji largohet duke lënë pas jo vetëm shkrime, emisione e debate, por edhe një histori miqësie të pazakontë me kryeministrin, një histori që, në heshtje, u deshifrua vetëm sot.
Më poshtë është intervista e dhënë në 3 shkurt 2013 pak para rotacionit politik.
– Zyra ku punon është ca e rrëmujshme. Ka vetëm pak ditë që është zhvendosur. Intensiteti i punës në ditët e para ka qenë i lartë, aq sa nuk ka pasur mundësi të vendosë pak rend në tavolinën e gjatë, të mbushur me letra. Artur Zheji ruan një fisnikëri të lindur. Vështrimi i tij është i thellë. Herë-herë analizues, herë-herë dyshues. Flokët gri, pak të gjata, i japin një hije imponuese. “Mos e keni merak,- thotë buzagaz,- jam vetë gazetar, nuk do ju le të prisni”. Zheji është një nga penat e mprehta të analizës shqiptare. Ka miq nga të gjitha kahet politike. Tashmë siç edhe është bërë e ditur, gazetari i njohur drejton në News 24 emisionin “360 gradë”.
Ditët e fundit ai është personazhi më i lakuar në biseda, qoftë brenda medies ashtu edhe jashtë saj. Emisioni i tij i parë, ku të ftuar kishte Kristo Papas, deputetin grek të partisë “Agimi i Artë”, e njohur për prirjet neonaziste, ka pasur një shikueshmëri të lartë. Vlerësimet dhe kritikat në opinionin publik kanë qenë të ndryshme. Krahas thirrjeve anti-shqiptare të Papas, debati është përqendruar edhe në vetë rolin e gazetarit në këtë bisedë. A duhej apo jo të ishte Zheji aq i qetë përballë një personi i cili fyente dinjitetin e kombit nga ai vjen? Ku ndahet profesioni nga patriotizmi? Për këto dhe shumë pyetje të tjera përgjigjet gazetari Zheji në intervistën e dhënë për gazetën “Shekulli”.
Çfarë raportesh keni me zgjimin e mëngjesit. Kur e gjejmë Zhejin në zyrën e punës?
Mëngjesi është padyshim i bukur. Por unë e shijoj rrallë. Por kur e shijoj pendohem si mos me keq që mëngjeset kanë perënduar pa i shijuar. Por gjithmonë i premtoj vetes se do të ndryshoj. Sepse është më mirë për shëndetin të flesh me pulat dhe të zgjohesh me gjelin…
Gjithnjë duke dashur të dimë raportet tuaja me Tiranën, mund të na thoni si vazhdon dita juaj në Tiranë? Sa ndikon mjedisi përreth në punët, takimet, raportet tuaja me njerëzit?
Raporti me njerëzit është gjëja më e bukur e jetës. Mendoni një shtëpi bosh, apo një qytet të shkretuar. Tanimë shqiptarët shohin gjithmonë e më tepër punët e tyre dhe kjo i jep gjithkujt më shumë liri. Neve të ekranit nuk na përfshin kjo liri, por sidoqoftë është një privilegj që në më të shumtin e rasteve ka shijen dhe kënaqësinë e vet të papërsëritshme. Personalisht shoqërohem me gjithkënd, ndërsa gjërat e thella dihet mund të ndahen vetëm me fare pak njerëz. Puna është ndjesia e fortë që përshkon njeriun që përmes punës pra, ndjen se ekzistenca e vet, ka një kuptim dhe ky kuptim mbush më të shumtën e zbrazëtive që vizitojnë jo rrallë shpirtin e njeriut.
Në televizion, ATSH, gazetë, tani përsëri në televizion… Kanë ndikuar në mënyrën tuaj të jetesës këto pozicione pune?
Çdo njeri ka një jetë të vetën. Puna jonë është gjithë kohës në tryezën e gjykimit publik. Dhe pra, ndryn në vete gëzime dhe trishtime të pashoqe. Fatmirësisht gëzimet kanë qenë më të mëdha dhe ky është fat.
Pothuajse çdo televizion ka një emision politik. Tani edhe ju u gjejmë me një të tillë në ekranin e News 24 me “360 gradë”. Ishte në idetë tuaja të hershme për të pasur një emision televiziv apo u erdhi papritur?
Ishte pothuajse një shkëndijë e papritur, një ‘përse jo!’ që mori sakaq përgjigje. Një marrëdhënie miqësore dhe entuziaste me Irfan Hysenbelliun dhe Artan Santon, për një projekt sfidant. Në News24, ka një klimë intensive pune dhe drejtim e organizim të ‘rreptë’. Nuk kam ardhur pra për një shëtitje relaksuese, por për një sfidë të rëndësishme mediatike. Publiku më mirëpriti. Kjo të shumëfishon përgjegjësinë dhe të përforcon bindjen se rikthimi në Tv, ishte në momentin e duhur.
Çfarë do bëni ndryshe ju nga kolegët tuaj në atë emision?
Kjo është çështje perceptimi. Ndryshe bëhet gjithçka, sepse kjo është bukuria e jetës, të qënit ndryshe. Është publiku ai që gjykon dhe vlerëson të ndryshmen.
Deri me tani jeni bërë protagonist duke kapur tema të nxehta dhe personazhe që provokojnë. Është strategji për të qenë protagonist?
Jo vetëm. Kam një teori që po mundohem ta vërtetoj. Ne jetojmë shpesh në një realitet paralel. Një realitet të fshehur, mbi të cilin ecim dhe shpesh nuk e shohim. Është një realitet që nuk duhet lëmuar por duhet gërmuar. Si minatori apo jo? Minatorët i gjejnë mineralet e çmueshme në thellësi të sipërfaqes. Apo t’ju jap një shembull me spektrin e dritës? Drita që ne shohim është e bardhë. Po të përthyhet ajo përlind edhe shtatë ngjyra të tjera të fshehura. Brenda saj që shohim përditë ka shumë ngjyra që duhen dalluar dhe duhen veçuar. Kolegët tanë të huaj e quajnë këtë dukuri dekriptim. Dekriptim të realitetit…
Zoti Zheji, ju ngjall ndonjë ndjesi kur u etiketojnë si “analist i pushtetit”? Si do t’iu përgjigjeshit atyre që e thonë këtë?
Me sa duket edhe në pyetjet tuaja jeni orientuar nga një pushtet influencimi që ju largon nga profesionalizmi. Kam qenë kritik me Berishën, po ashtu edhe me Ramën. Në fushën e analizës kam bindjet e mia. Keni ndonjë vërejtje për argumentet që përdor për të vërtetuar parashtrimet e mia konceptuale? Etiketimet janë sporti i shikuesve ose i konkurrentëve. Etiketimet janë në thelb fundi i analizës dhe shterpësi argumentimi. Kështu ka ndodhur dhe kështu do të ndodhë. Jam krejt i pandjeshëm. Pushtetet shkojnë e vijnë, gazetarët mbeten.
Në kohën e qeverisë Nano keni qenë aleat me të, ashtu dhe në kohën e Berishës duke mbajtur dhe poste të rëndësishme siç ka qenë drejtimi i TVSH-së dhe ATSH-së? Mund të themi se Artur Zheji e ka më kollaj të mbrojë më të fortin?
Jeni e re dhe gaboni shumë në renditjen e fakteve. Me Nanon kam qenë mik, kur ai ishte në opozitë me partinë e tij dhe me kryeministrin Ilir Meta. Keni harruar lëvizjen për katharsis. Shpresoj të mos jetë një harresë e qëllimshme redaksionale.
Po më pas kam reformuar RTSH. Berisha lideri i opozitës së asaj kohe ishte po aq i pranishëm në televizion sa edhe Fatos Nano, kryeministër. Shqipëria hyri për herë të parë në Euro Festival dhe shkëlqeu me Anjeza Shahinin. Ky mendoj është profesionalizëm. Kërkoni sondazhet e Institutit të Mediave të zotit Remzi Lani. Në periudhën e reformave të mia drejtuese, RTSH kishte një audiencë mbi 25%, sot ka rënë ndërmjet 5 dhe 10%. Dhe askush nuk merakoset sepse e quajnë një institucion të vdekur klinikisht. Në vitin 2006 u largova brutalisht nga drejtimi i RTSH pikërisht nga Sali Berisha, kam fituar edhe një e disa gjyqe për këtë. Dje dhe sot kemi pasur dhe kemi ministra që belbëzojnë një shqipe mjerane dhe kanë diploma të blera. Përse ne gazetarët që japim provim përditë përpara shqiptarëve të na quhen mëkat detyrat drejtuese? Nejse! Karvani ecën përpara.
Keni njohje personale me katër nga politikanët kryesor në vend të këtyre 20 viteve. Mund të na japësh një karakteristikë që i dallon Nanon, Berishën, Ramën dhe Metën?
E kam më të lehtë t’ju them se çfarë i bashkon. Duan pushtet dhe janë këmbëngulës. Pak kujtesë më e mirë do t’i bënte mirë të gjithëve.
Është marrëdhënia me Edi Ramën një shoqëri e prishur..e ëma e liderit të opozitës është shprehur se vite më parë ju ka pasur si djalin e tretë të familjes…
Neta është një zonjë grua. Unë ushqej të njëjtën dashuri dhe dobësi që kam pasur në rini për të. Një grua moderne, pak e ashpër, por shumë herë më tepër e dashur. Fisnike dhe kinge. Kontradiktat i kam pasur me Edin. Unë e mirëkuptoj Netën. Por të njëjtën gjë ndjen edhe nëna ime Besa Imami. Ajo i ka gatuar Edit hallvë në një të natës, kur e gdhinim me biseda folozofike dhe ëndërrimtare. Edi nuk është kujtuar më për të. As për Petro Zhejin babain tim, që ka qenë për mjaft kohë një udhëheqës shpirtëror për Edin. Politika, jeta, pikëpamjet e ndryshme, mjerisht më shumë ndajnë se sa bashkojnë. Nuk është një shoqëri e prishur, është një shoqëri tjetër…
Në gjykimin tuaj a ka vendi nevojë për rotacion politik dhe a është Edi Rama kandidat i duhur për kryeministër?
I uroj fat dhe fitore. Por ka rrugë të vështirë dhe të përpjetë. I duhen më shumë shokë dhe miq. Por ai ka stilin e tij. Le ta respektojmë këtë stil.
A do të pranonit të ishit një kandidat i opozitës në këto zgjedhje?
Jo as i opozitës dhe as i pozitës.
Jemi në 2013, po hyjmë në muajt elektoralë, gjithandej vijnë sinjale për situata të tjera, ka pritshmëri të lartë konfliktuale. Ky rezultat i 2013-s, do jetë çështje fryme apo çështje shifrash?
Shifrash. Frymë nuk shohim të ngjizet nga asnjë krah.