Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është bërë “viral” në rrjetin social Tik Tok gjatë kohës që qëndron i izoluar në qendrën e paraburgimit në Durrës.
Videoja e re e postuar së fundmi në profilin e tij, ka në përmbajtje një fragment të shkëputur nga një eveniment i Bashkisë së Tiranës në kohën kur Veliaj ishte i lirë ndërsa ka të mbishkruar një mesazh të koduar, drejtuar armiqve të tij.
“Je kaq i qetë”. Modaliteti i heshtur është aktiv sepse unë nuk të pëlqej ty më. Kur unë të flas, do të jetë lajm i fundit”, shkruan Veliaj.
Ky nuk është mesazhi i parë i koduar që Veliaj poston në rrjete sociale. Së fundmi ai ka qenë më pak aktiv me statuse në facebook, ndërsa mbetet për tu parë se kë ka shënjestruar kryebashkiaku ende në detyrë.
Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ai akuzohet së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, se ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.