Meteorologia Lajda Porja tha se kjo javë e fundit e gushtit edhe pse ka nisur me vranësira që sjellin herë herë një mot disi më të freskët, gradualisht do përmirësohet duke u kthyer kështu përsëri në valët e nxehta.
“Kjo javë ka nisur me vranësira dhe reshje të pakta, kryesisht në veri. Jugu nuk ka përfshirje të reshjeve. Ndërkohë, nga dita e mërkurë deri të premten, do të ketë përmirësim të motit dhe mbizotërim të diellit. Minimalet sot shënojnë 11-12 gradë dhe maksimalet nga 28-30 gradë në shumë qytete.
Nga e mërkura presim të kemi riaktivizim të valëve të nxehta, kryesisht në periferi. Gjithashtu dita e enejte dhe e premte do kulmojë me temperaturat 38-39 gradë. Pra do të kemi një rritje të ndjeshme të temperaturave në të gjitha qytete kryesore të Shqipërisë”, tha Porja.
Meteorologia parashikon se të shtunën dhe të dielën do kemi të bëjmë me luhatje të motit duke pasur praninë edhe të reshjeve edhe pse të pakta, por edhe të diellit.
“Parashikohet që fundjava të risjellë rebeshe dhe stuhi ere, ku më pak i prekshëm do jetë përsëri jugu. Ditën e dielë do të rikuperohet moti dhe do përmirësohet ndjeshëm”.
Porja bëri një parashikim edhe sa i përket muajit shtator që na pret, duke theksuar se edhe pse futemi në një muaj vjeshte, temperaturat e larta dhe motin e nxehtë do e kemi prezent.
“Sa i përket fillimit të shtatorit, do startojë me temperatura të larta edhe në javën e parë të shtatorit. Herë pas here do ketë dhe stuhi ere por më pas sërish diell. Nuk do jetë një 10 ditësh nën mbizotërimin e diellit apo të shiut. Shtatori është parashikuar të regjistrojë temperatura mjaft të larta pothuajse gjatë gjithë muajit. Edhe pse me datë 1 shtator hymë zyrtarisht në stinën e vjeshtës, vera do të fillojë edhe përgjatë shtatorit”, tha meteorologia.