Kevi Norra, i riu që shkaktoi aksidentin me dy viktima dhe një të plagosur mbrëmjen e së dielës në Sarandë-Delvinë, do të qëndrojë në qeli. Gjykata e Sarandës ka vlerësuar sot masën e sigurisë dhe e ka lënë 23 vjeçarin prapa hekurave.
23 vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik mbrëmjen e djeshme në rrugën Sarandë-Delvinë, po kthehej në shtëpinë e tij në fshatin Fushëbardhë të Gjirokastrës, nga ku ishte me origjinë dhe ku jeton familja e tij, raporton newsbomb.al.

Kevi Norra kishte qenë në Sarandë prej pasdites së të dielës dhe rreth orës 20:00 po kthehej në shtëpi, kur është futur kundravajtje dhe ka përplasur për vdekje dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku; e plagosur ka mbetur shoqja e tyre Antonela Zhupa.
Pas testimit nga policia, ai u gjet në gjendje të dehur, me një nivel alkooli prej 1.52 mg/l në matjen e parë dhe 1.42 mg/l në të dytën. Ndodhur në këto kushte, efektivët e Policisë së Sarandës i kanë hedhur menjëherë prangat, ndërsa pritet të përballet në gjykatë me disa akuza të rënda.

Audi fuoristradë, në dukej model Q5, të cilin ai e drejtonte me shpejtësi skëterrë ka kryer një parakalim të gabuar në një zonë me vija të pandërprera dhe ka dalë përballë mjetit që drejtohej nga Elvisa Dhimaku.
Përplasja kokë më kokë ka qenë fatale dhe “Lancia” ku udhëtonin tre vajzat është shkatërruar e gjitha në pjesën e përparme. Edhe Audi është kthyer përmbys buzë rrugës, por shoferi Kevi Norra ka shpëtuar pa dëmtime.

Elvisa dhe Rozina Dhimaku dhe shoqja e tyre Antonela ishin nisur nga fshati Kopaçëz i Delvinës drejt spitalit të Sarandës, ku ndodhej vëllai 10 vjeçar. Djali i vogël i familjes Dhimaku është diagnostifikuar me leuçemi dhe ishte kthyer në Sarandë nga jashtë shteti.
Ndërkohë, Kevi Norra udhëtonte në drejtim të kundërt me to, nga Saranda drejt Delvinës e më pas Gjirokastrës, ku jetonte familja e tij.