Edi Ramës ndaj kodeve të Veliajt, pse e thirri ish-ministrin Ervin Mete?

Mesazhe të koduara dhe lojëra pushteti: Veliaj sfidon Ramën dhe lobet ndërkombëtare…

Një vit më parë, përkatësisht në korrik të vitit 2024, Edi Rama e shkarkoi në mënyrë demonstrative ministrin e Financave, Ervin Mete. Për të cilin kishte pasur konsiderata pozitive, si publike, ashtu edhe nga feedback-u i institucioneve financiare ndërkombëtare që bashkëpunojnë me Shqipërinë, në lidhje me financat, borxhin dhe huatë publike.

Largimi i Ervin Metes pasoi emërimin e Petrit Malajt. Edhe pse nuk u komentua nga qarqet mediatike, ky vendim ishte pastërtisht një akt politik.

Edi Rama, nisi në mënyrë publike t’i presë krahët kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, në parti, ekzekutiv dhe administratë.

Për t’i dhënë një mesazh SPAK, që bëni atë që duhet të bëni, unë e kam lëshuar Lalin. Çfarë ndodhi më pas dihet. Përveç burgosjes dhe sjelljes së ashpër ndaj tij, Rama përzuri, denigroi dhe sulmoi thuajse të gjithë njerëzit e Erion Veliajt në administratën e bashkisë, parti, por edhe në insititucione të tjera.

Ndërkaq, një ditë më parë, në llogarinë Tik-Tok të Erion Veliajt u shpërnda një mesazh i koduar, i dyti në radhë, që u duk mjaft i fortë.

“Je kaq i qetë. Modaliteti i heshtur është aktiv sepse nuk më pëlqen më. Kur të flas unë, ti do jesh lajm i fundit”

Nuk kanë kaluar shumë orë nga ky mesazh, e Edi Rama, “shkroi” po me kode përgjigjen ndaj Erion Veliajt, apo thënë më mirë, njerëzve që e përkrahin kryebashkiakun. Të cilët siç duket administrojnë rrjetet e tij sociale, si dhe po merren me mbrojtjen e tij ligjore.

Rama, dje ka thirrur në kryeministri, në kuadër të negociatave për kabinetin e tij, Ervin Meten, i cili është shfaqur përpara kamerave që po xhironin lëvizjet, të sinjalizuara nga PR i kryeministrit.

Çfarë ishte kjo lëvizje e koduar, e pse Edi Rama është në panik nga mesazhi i Erion Veliajt në tik- tok?

Ervin Mete, është një personazh politik, i cili në Partinë Socialiste ka ardhur së bashku me kryebashkiakun Veliaj, e konsiderohet një nga njërëzit e afërt të tij.

Që nga MJAFT në G99 e më pas në PS. Afrimi i tij në një post të rëndësishëm si ministri i Financave u konsiderua si një aleancë me lobin që përfaqëson kryebashkiaku.

Thirrja e tij dje, hapur përpara mediave nuk është gjë tjetër veçse një kod, ku thuhej se Kryeminstri është i gatshëm të negocojë me njerëzit e Veliajt.

Duke bërë të ditur se madje edhe qeverinë e ka të disponueshme për njerëz e personazhe që i përkasin kësaj rryme politike, si edhe më gjerë.

Dihet se Veliaj ka lidhje të rëndësishme politike, kryesisht në SHBA dhe vendet e BE-së, përkatësisht në lobin Soros dhe qarqet e majta liberale por edhe me grupe të rëndësishme financiare.

Ndër të cilat është edhe gjigandi Black-Rock, i cili ka marrë përsipër borxhin e jashtëm të Shqipërisë, pikërisht gjatë kohës kur ministrinë e Financave e drejtonte Ervin Mete.

Kodi i Veliajt, se nëse ai flet, bëhet kryelajm, nuk duket se është një lojë bllofi e thjeshtë, si një e tillë gjatë duarve të pokerit kur kërkon të sugjestionosh kundërshtarin.

As padyshim aspekti naiv që mendojnë shumë në qarqet mediatike, se Veliaj mund të bëhet i penduar dhe kështu mund të hapë barkun për shefin e tij. Kjo përveçse është një tezë naïve është dhe e pamundur.

I penduar, përkatësisht bashkëpunëtor zyrtar i drejtësisë, bëhet kryesisht një i pandehur që nuk mund të kthehet prapa dhe vendos të bëjë veprimin e tij final për të ulur sadopak dënimin. Këtë veprim e kryejnë në shkëmbim të një jete të fshehur dhe pagesën e një rroge fikse e modeste nga shteti, si dhe pagesën e qirasë së banesës në një vend periferik.

Të penduar bëhen kryesisht vrasës me prova të forta, të cilët janë të sigurtë që do të dënohen përjetë, apo zyrtarë që gjithashtu rrezikojnë dënime mbi 15 vjet. Ku është e pamundur një përballje ligjore, pasi maksimumi mund të ulësh 1 apo 2 vjet.

Gjithashtu, të penduar bëhen ata që janë në rrezik për t’u eleminuar nëse qëndrojnë jashtë si vetë ata ashtu edhe familjarët, pasi janë dëshmitarë të një krimi të rëndë. Një jetë prej të penduari është ferr i vërtetë, ndaj pak personazhe e kanë duruar, si pasojë e një motivimi të fortë hakmarrjeje, kur nuk kanë ç’humbin më. Si Tomasso Buscetta, të cilit Toto Riina i vrau dy djemtë, vëllezërit, nipërit, burrat e motrave, si dhe kushërinj deri në brezin e katërt. Pendimi i Buscetta u bë si pasojë e besimit që ai kishte te prokurri Giovani Falcone, se vërtetë do ta mbyllte në burg përjetë Riina-n.

Si Buscetta, si Falcone ishin të vetëdijshëm se nga ky aksion ata do të hiqeshin qafe, por e kishin ndarë mendjen. Gjatë bisedave mes tyre, shpesh ata bënin shaka se kush do të vdesë i pari.

Pra, jo vetëm nuk është ky rasti, por përgjithësisht nuk ka politikanë që e bëjnë këtë punë, janë kryesisht personazhe nga jeta e krimit, në veçanti atij të organizuar, ndaj të cilit ka ligje, mjete, organizma dhe gjykata të posaçme për t’i trajtuar.

Megjithatë, ajo që fshihet pas mesazhit të Erion Veliajt, nuk ka të bëjë me një deklaratë apo një fjali konsumi për treg mediatik. E tipit çudia tre ditë zgjat, pastaj e ha turpin me bukë dhe me një gotë verë mbrapa.

Këtu orientimi është shumë i fortë, i tipit që një fjalë mund të trazojë kancelari, banka, apo tregje financiare, ku involvimi i qeverisë shqiptare është total. Aq shumë sa nga aktorë të rëndësishëm financiarë ne nuk konsiderohemi si sovranë veçanërisht, por në duart e bankave të kapitaleve. Një gjë jo krejt e pazakontë, pasi edhe shtete të tjera janë të tilla, ku si shembuj mund të merren fqinjët tanë Italia apo Greqia, ku kapitali, përkatësisht bankat, janë ata që kontrollojnë qeverisjen.

Sipas të gjitha gjasave, nisur edhe nga përgjigja e Ramës, mesazhi ka të bëjë me ndonjë gjëmë financiare. Nga ato që me një akt, fjalë, apo veprim spekulativ rrëzojnë qeveri dhe rrënojnë ekonomi.

Ndaj Edi Rama është përgjigjur menjëherë, duket qartë i panikosur. Mbetet për tu parë nëse përgjigja e kryeministrit ndaj Veliajt apo njerëzve të rëndësishëm jashtë vendit që e mbështesin, ishte një ftesë për negociatë apo një shantazh alla Hamas, i cili nxjerr pengjet izraelite si për të treguar se është i aftë të bëjë keq.

Nga ana tjetër, duket se Veliaj, përkatësisht lobet e huaja që e mbështesin atë, sapo kanë hapur një betejë me Ramën. E cila do të jetë politike dhe me disa faza. Hapi i parë i së cilës e ka destabilizuar Ramën, që sipas të gjitha gjasave nuk e ka shpallur qeverinë e re, pikërisht nga frika e këtyre lobeve. Që duket kanë në dorë çështjet e parave…/Pamfleti