Vijnë dorëheqjet e para. Ministri lë detyrën – Zbardhet letra e ikjes

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë sot dorëheqjen nga posti i tij. Ai ka shpjeguar se arsyeja kryesore për këtë vendim është zgjedhja e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës. Aliu theksoi se zgjedhja e Bashës “nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën”, duke e cilësuar këtë si një veprim që e degradoi institucionin më të lartë të vendit.

Si u zgjodh Dimal Basha kryeparlamentar?

Zgjedhja e Dimal Bashës u bë me 73 vota pro, 34 kundër dhe 8 abstenime. Edhe pse votimi u shoqërua me debate rreth numrit të saktë të votave, me shifra paksa të ndryshme të raportuara nga kryesuesi i seancës, konsensusi u arrit.

Votat që i siguruan fitoren Bashës

Basha mori mbështetjen e plotë të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si dhe të deputetëve të komuniteteve. Përveç këtyre, ai siguroi 17 vota shtesë nga dy parti kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Deputetët e PDK-së që votuan pro ishin:

  • Memli Krasniqi
  • Abelard Tahiri
  • Vlora Çitaku
  • Uran Ismaili
  • Enver Hoxhaj
  • Blerta Deliu
  • Jakup Nura
  • Përparim Gruda
  • Artan Behrami
  • Eliza Hoxha
  • Mergim Lushtaku
  • Altin Krasniqi
  • Rrahman Rama
  • Sala Jashari

Ndërsa Rashit Qalaj, Ferat Shala, Arbnore Salihu, Ariana Musliu Shoshi dhe Elmi Reçica abstenuan. Katër deputetë të tjerë të PDK-së, përfshirë Nait Hasani dhe Ganimete Musliu, votuan kundër.

Në radhët e AAK-së, pro votuan Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj dhe Bekë Berisha. Ndërsa Time Kadrijaj dhe Adem Hoxha abstenuan.

Nga partia LDK, të gjithë deputetët votuan kundër, me përjashtim të Arben Gashit, i cili abstenoi. Gjithashtu, të tre deputetët e Nismës Socialdemokrate dhe deputetja Duda Balje votuan kundër.

Dorëheqja e Liburn Aliut, një figurë e rëndësishme e Lëvizjes Vetëvendosje, thekson ndarjen e thellë brenda partisë lidhur me bashkëpunimin me opozitën dhe zgjedhjen e një kandidati që sipas tij, nuk e përfaqëson idealin politik.