Zbythet Vuçiç nga ndryshimi i Kushtetutës serbe, po me Edi Ramën çfarë do të ndodhë?

Ndërsa Beogradi refuzon ndryshimin e Kushtetutës për një mandat të tretë presidencial, në Tiranë, Edi Rama përgatit transformimin e sistemit; nga kryeministër në President me fuqi të plota…

Në një deklaratë që befasoi opinionin publik, presidenti serb Aleksandar Vuçiç bëri me dije se nuk do të ndryshojë Kushtetutën për të qëndruar më gjatë në pushtet, duke u shprehur se do ta përfundojë mandatin aktual dhe nuk do të rikandidojë.

Ky vendim vjen në një kohë të tensionuar për Serbinë, me protesta masive, mungesë të shumicës parlamentare për ndryshime kushtetuese dhe presion të shtuar ndërkombëtar për stabilitet institucional.

Duke i paraprirë një përplasjeje me opozitën dhe shoqërinë civile, Vuçiç zgjodhi të tërhiqet, jo për bindje demokratike, por për mungesë llogarish aritmetikë në Kuvend.

Në thelb, kjo tërheqje është një akt kalkulimi politik, një manovër për të ruajtur imazhin personal dhe për të evituar etiketimin si diktator nga perëndimi. Vuçiç e di mirë se me Perëndimin në fokus dhe me një opozitë të ringjallur në rrugë, çdo përpjekje për të ndryshuar rregullat e lojës do të përfundonte në destabilitet të brendshëm dhe izolim diplomatik. Ai zgjedh të ndalojë, ndofta përkohësisht.

Në kontrast të plotë me këtë zhvillim, në Shqipëri, Edi Rama po përgatit të kundërtën. Ndërsa Vuçiç po tërhiqet nga ambiciet presidenciale me fuqi të shtuara, Rama po teston terrenin për një projekt të heshtur por të rrezikshëm: ndryshimin e Kushtetutës për të krijuar një sistem presidencial të përshtatur mbi masën e tij politike.

Nën pretekstin e reformës në Drejtësi dhe nevojës për një sistem “më funksional”, Rama po zgjat tentakulat drejt një kontrolli absolut institucional, ku roli i Presidentit kalon nga ceremonial në egzekutiv. Kjo lëvizje, nëse realizohet, do të shënojë një përmbysje të sistemit parlamentar që Shqipëria ka pasur që nga rënia e diktaturës.

Ndryshe nga Serbia, ku mekanizmat parlamentarë dhe shoqëria civile e detyruan pushtetin të tërhiqet, Shqipëria po rrëshqet drejt një modeli autoritar me konsensus të heshtur institucional dhe një opozitë të paralizuar. Dallimi është i thellë: në Beograd, frika nga ndëshkimi e ndaloi Vuçiçin; në Tiranë, arroganca e pandëshkueshmërisë e nxit Ramën.

Në të dy rastet, është e qartë se liderët ballkanikë, të rritur në sisteme të brishta demokratike, e shohin Kushtetutën jo si kontratë me qytetarët, por si instrument manipulimi për të zgjatur pushtetin. Por ndërsa Serbia ka treguar një aftësi për të kufizuar ambiciet presidenciale, Shqipëria përballet me rrezikun real të një kapjeje të plotë të shtetit. Në fund, pyetja është kjo: a do të ketë Shqipëria momentin e vet “Vuçiç”, apo do të përfundojë në një regjim që ngjan më shumë me Erdoganin e Turqisë sesa me një demokraci evropiane?/Pamfleti