Politikani socialist Ditmir Bushati do të jetë pjesë e Universitetit të Harvardit në këtë vit të ri akademik, përcjell newsbomb.al. Ai do të angazhohet në projekte kërkimore dhe në një cikël leksionesh me studentë, pedagogë dhe studiues të këtij institucioni arsimor.
Harvardi një nga universitetet më prestigjioze në botë dhe ish-ministri dhe shefi i diplomacisë shqiptare për disa vite nën drejtimin e vendit nga Partia Socialiste, do të jetë lektor për rolin e marrëdhënieve SHBA-BE në konsolidimin e paqes dhe prosperitetit në Europën Juglindore.
“Është nder dhe kënaqësi për mua, që kësaj radhe t’i bashkohem Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Universitetit të Harvardit për këtë vit akademik”, shkruan Bushati, duke shtuar se ka qenë dy herë në këtë universitet, ku ka mbajtur një fjalë me studentët për sfidat me të cilat ndeshet Europa Juglindore, dhe më herët si pjesëmarrës i një programi ekzekutiv për negociatat.
Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare, e themeluar në 1958 nga Henry Kissinger dhe Robert Boëie, është institucioni më i madh i kërkimit në Universitetin e Harvardit lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ajo është pikë takimi e akademikëve dhe njerëzve të praktikës nga e gjithë bota, duke pasqyruar në këtë mënyrë një angazhim të hershëm për të lidhur në jetë studimet me praktikën.
“Kësisoj, e konsideroj një eksperiencë të vyer pasi jo vetëm do të kem mundësi të kontribuoj bazuar në përvojën time, por edhe të mësoj nga të tjerët”, vijon Ditmir Bushati, teksa thekson se Universiteti i Harvardit në Amerikë është fuqia e mendimit dhe zemra e ideve novatore.
“Rendi ndërkombëtar i bazuar në rregulla ka pësuar goditje të fortë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë dhe konfliktit të ripërtërirë në Lindjen e Mesme. Për rajonin tonë, pasojat janë të qarta, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike dhe çështjet e pazgjidhura të shtetësisë.
Mirëpo momenti aktual është tejet sfidues pasi ekspozon një hendek: nevoja për bashkërendim SHBA-BE në rajonin tonë vijon të jetë e madhe, ndërkohë që hapësira për bashkëpunim mes tyre duket se po ngushtohet.
Ndaj është e rëndësishme të shqyrtohen politikat, instrumentet dhe modelet e bashkëpunimit SHBA-BE në Europën Juglindore, në funksion të një agjende transformuese dhe konsolidimit të projektit europian të rajonit”, përmbyll ish-ministri socialist.
Ditmir Bushati është një nga diplomatët e njohur shqiptarë, i cili shërbeu si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018. Gjatë mandatit të tij, ai luajti një rol kyç në avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke përfaqësuar vendin në takime të nivelit të lartë me përfaqësues të BE-së dhe diplomatëve nga vende të ndryshme.
Një nga kontributet e rëndësishme kanë qenë iniciativat për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe për të integruar Ballkanin Perëndimor në arkitekturën evropiane. Ai ka qenë aktiv në promovimin e reformës në drejtësi, duke theksuar rëndësinë e saj si themel i integrimit euroatlantik. Nën drejtimin e tij, Shqipëria firmosi dhe ratifikoi dokumente të rëndësishme, si marrëveshje sigurie dhe bashkëpunimi me Bashkimin Evropian.
Pas përfundimit të mandatit si ministër, Ditmir Bushati ka qëndruar aktiv në sferën publike përmes rrjeteve sociale—veçanërisht në X (Twitter), ku ndan komente për çështje politike dhe ndërkombëtare, analizë të zhvillimeve rajonale dhe pjesë nga përvoja e tij diplomatike. Ai ruan një profil të kujdesshëm, duke u shprehur për tema si reformat integruese, zhvillimet e jashtme dhe roli i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.