Kryeministri, ndryshe nga vitet e shkuara, po shtyn shpalljen e qeverisë së re, i pushtuar nga pasiguria e ndonjë goditjeje të beftë nga SPAK ose mediat ndërkombëtare…
Edi Rama, përveç herës së parë kur fitoi zgjedhjet, dy mandatet pasuese i shpalli qeveritë e tij që në mes të verës. Një akt që nuk kishte vetëm element teatral për mediat, por ishte edhe një lëvizje politike e llogaritur.
Në vitin 2013, Rama nuk kishte asnjë enigmë mbi përbërjen e kabinetit, sepse qeveria ishte ndarë më 1 prill, me paktin PS-LSI dhe marrëveshjen që përveç posteve ekzekutive, i garantonte Ilir Metës edhe mandatin e Presidentit të Republikës për vitin 2017.
Megjithatë, marrëdhënia Rama–Meta nuk ishte një aleancë besimi, por një shantazh i ndërsjellë. Çdo javë, kryeministri i ri ishte i detyruar të shkonte në zyrën e Metës, jo në një takim institucional, por si “detyrim paraqitjeje”, për të harmonizuar axhendat dhe për të dhënë garanci mbi votimet dhe koncesionet.
Frika e prapaskenave e detyroi Ramën ta shpallte qeverinë vetëm pas konstituimit të Kuvendit, për të shmangur ndonjë pusi politike.
Në vitin 2017, me 74 mandate, Rama mori frymë lirisht, i liruar nga “mankthi Meta”. Kjo e shtyu ta shpallte qeverinë e re që në fund të korrikut, duke treguar forcë e pushtet të pakontestueshëm. Të njëjtin ritual e përsëriti edhe në 2021, duke e shfrytëzuar si mjet presioni ndaj partisë së vet dhe duke kërcënuar hapur se do t’i “çonte për veshi në SPAK” të gjithë ata që i kundërviheshin.
Por këtë herë, në mandatin e katërt, Edi Rama po shfaq kujdes të pazakonshëm. Ai nuk po e ushtron “hobin” e shfaqjes së pushtetit që në kulmin e verës, por e ka shtyrë shpalljen e qeverisë edhe pas konstituimit të Kuvendit.
Për mediat pranë tij janë hedhur disa data, nga mesi deri në fund të shtatorit, por asnjë nuk është definitive.
Burime pranë Kryeministrisë pohojnë se Rama nuk do të shkojë vetë në Presidencë me emrat e kabinetit, por do të presë procedurat kushtetuese që nisin me mandatarin dhe dekretimin nga Presidenti. Një sjellje që bie ndesh me përbuzjen e mëparshme ndaj formaliteteve ligjore, por që këtë herë lidhet me pasiguritë dhe frikën e tij.
Kryeministri është i terrorizuar nga mundësia që diçka e rëndë mund t’ia prishë festën e mandatit të katërt. Dyshimet janë se ai ka frikë nga ndonjë publikim ndërkombëtar që mund ta ekspozojë ose nga një veprim i befasishëm i SPAK-ut, që mund të shfaqet me një mandat hetimor pranë zyrës së tij. Pikërisht për këtë arsye, Rama ka përgatitur lëvizjet e kundërpërgjigjes, ndërkohë që vijon negociatat dhe paralajmërimet, për të garantuar se “dita e shpalljes së qeverisë” nuk do të kthehet në një ditë gjëmë politike./Pamfleti