Në Vlorë, idealet politike duket se vlejnë aq sa një post në administratë. Ish-demokratët e dikurshëm, që dikur mbronin flamurin blu me pasion, sot janë rreshtuar me mavitë, dhe jo për ideologji, por për pushtet. I fundit që u sakrifikua për të mirën e tij është Genc Deromemaj, ish-kreu i PD-së në Vlorë, i cili u emërua drejtor i Kadastrës së Vlorës. Me këtë lëvizje, Deromemaj i bashkohet një liste të gjatë të tradhtarëve demokratë që u shitën te Rama e që përfunduan në zyra të rehatshme në institucione shtetërore.
Në radhët e atyre që e gjetën dritën në PS është edhe Zamira Sinaj, ish-anëtare e Kryesisë së PD-së, që sot është deputete socialiste, madje në një nga vendet më të sigurta të listës. Klea Lalo, ish-demokrate, është nënkryetare e Bashkisë së Vlorës, ndërsa Bled Taushani, dikur zë i strukturave blu, tani është drejtor i Tatimeve. Edhe Juliana Çuni, që drejton Spitalin e Vlorës, është një tjetër rast klasik i transformimit ideologjik që ndodh pas çdo zgjedhjeje humbëse të PD-së.
Lista vazhdon me Kozma Mali, tashmë drejtor i Financave në Bashki, dhe këshilltarët e kryetarit socialist Ermal Dredha, Sokol Kuçi, Erdet Mandi dhe Saimir Haxhiu të gjithë me të kaluar të djathtë dhe të ardhme të majtë. Ndërkohë, kreu i PD-së lokale Hysni Sharra e quan këtë një zgjedhje personale, ndërsa Atird Hoxha, ish-kandidat pa fat, flet për një plan të Ramës për të zbrazur PD-në nga brenda. Ironikisht, duket se në Vlorë partia opozitare është kthyer në një shkollë kualifikimi për administratën e PS-së.