Kush dridhet nga ky takim?
Ndërkohë burime diplomatike theksojnë se ftesa për Dumanin është preludi i një “sezone zjarri” për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri. Në lojë futet edhe urdhri ekzekutiv i janarit 2025 i Presidentit Trump, i cili kategorizon trafikantët e drogës dhe rrjetet e tyre financiare si “terroristë ndërkombëtarë”. Kjo do të thotë se baronët e drogës e krimit dhe mbrojtësit e tyre politikë do të goditen jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga sanksione të forta amerikane. Dhe këto tre muaj që Dumani do të jetë në krye të SPAK, pasi në dhjetori i mbaron mandati, duket se do të jenë “ditë ferri e zjarri” për terroristët e drogës dhe të korruptuarit. Aktualisht përveç ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-presidentit Ilir Meta dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme, në listë janë përmendur emra të bujshëm: nga dosjet e korrupsionit ku shfaqen ministrat dhe zyrtarët e lartë si Belinda Balluku, Taulant Balla, Arbjan Mazniku, Frida Krifca, deri tek dyshimet e rënda që rëndojnë mbi vetë kryeministrin Edi Rama, i cili akuzohet se është i përfshirë në përgjime të “SKY ECC” dhe ka pasur kontakte të dyshimta me bosë të drogës dhe krimit të organizuar. Por prania e Dumanit në DASH, është një kambanë alarmi për të gjithë klasën politike, se, nuk ka më të paprekshëm.
SHBA kthehet në lojë, fundi i iluzioneve
Në muajt e fundit, heshtja amerikane kishte hapur terren për spekulime në Tiranë. Madje, disa qarqe politike e mediatike kishin përhapur idenë se me rikthimin e Donald Trump në pushtet, SHBA do të tërhiqej nga mbështetja për SPAK. Por nuk ndodhi kështu. Pak ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit reagoi për gazetën “SOT”, ndërsa konfirmoi mbështetjen për SPAK dhe vendosi theksin tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë takimi i djeshëm jep sinjale të freskëta, se Uashingtoni është rikthyer, dhe këtë herë jo për të paralajmëruar, por për të vepruar. Ky takim në Departamentin e Shtetit është një tërmet diplomatik që paralajmëron arrestime të bujshme dhe një fazë të re lufte pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.
Ora e fundit për politikën shqiptare
Pra takimi i Dumanit në SHBA vjen në një moment të nxehtë politik: kreu i SPAK është në prag të mbylljes së mandatit, ndërsa Rama, Meta dhe Berisha janë bashkuar në sulmet kundër drejtësisë. Por me rikthimin e SHBA, loja ndryshon rrënjësisht. Mesazhi është i qartë: drejtësia shqiptare nuk është vetëm. SPAK ka mbështetjen e plotë të shërbimeve sekrete dhe institucioneve amerikane. Çdo emër, sado i madh, është i prekshëm. Çdo dosje, sado e fshehur, do të hapet. Kështu që tani, pyetja që mbetet është vetëm një: Kush do të bjerë i pari në rrjetën e SPAK me kthimin e Dumanit nga SHBA? Më poshtë po pasqyrojmë detaje se kush është zyrtari i Lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan P. Hanrahan, që prit dje kreun e SPAK, Altin Dumani.
Priti në zyrë Altin Dumanin, ja kush është Brendan Hanrahan
Zyrtari i Lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan P. Hanrahan me ardhjen e Sekretarit të Shtetit, Marko Rubio në detyrë, ai zëvendësoi anëtarin e lartë të shërbimit të jashtëm Louis Bono si kreu i byrosë për Evropën të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Ai është zyrtari më i lartë në DASH për Evropën. Hanrahan ishte investitor në një firmë private amerikane dhe më parë ka punuar si këshilltar politikash për Komitetin e Senatit për Biznesin e Vogël dhe Sipërmarrjen nën drejtimin e Marko Rubios. “Brendan Hanrahan është Zyrtari i Lartë i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike (EUR). Përpara se t’i bashkohej Departamentit të Shtetit, Z. Hanrahan ishte investitor në Bain Capital në ekipin e Kapitalit Privat të Amerikës së Veriut, ku drejtoi marrëveshjet dhe bashkëpunoi me kompani në sektorët e Shërbimeve të Konsumatorit dhe Biznesit. Më parë, ai punoi si këshilltar politikash për Komitetin e Senatit për Biznesin e Vogël dhe Sipërmarrjen, duke shërbyer nën drejtimin e Kryetarit të atëhershëm Rubio. Ai e filloi karrierën e tij në McKinsey & Company ku mbështeti klientët e sektorit publik dhe privat. Z. Hanrahan mban një diplomë AB nga Kolegji i Harvardit dhe një diplomë MBA nga Shkolla e Biznesit Stanford”, thuhet në faqen e DASH.