“P*rplasje kokash brenda PS”, gazetari zbulon ministrat që do jenë me te fortet në qeverinë ‘Rama 4’

Gazetari Bledian Koka në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN, zbuloi pritshmëritë që ka për kabinetin e ri qeveritar, emrat e të cilit do të zbulohen me shumë gjasë në Asamblenë e PS nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij pritet me kuriozitet roli që do të kenë në qeverinë e re tre figura me rëndësi brenda PS, siç janë zv/kryeministrja Belinda Balluku, kryeparlamentarja Elisa Spiropali dhe ministri për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku.

Nuk pres asgjë përveçse ndonjë kurioziteti banal le të themi, se kush do ulet dhe kush do ngrihet brenda atyre që quhen pseudo-klane brenda PS-së. Jam kurioz të shoh se cili do jetë pozicionimi i tre figurave që për mua mund të quhen figura të forta brenda PS, që është ajo e zv/kryeministres, zonjës Balluku. Të kryeparlamentares Elisa Spiropali dhe një intuite timen personale për të parë se cili do jetë pushteti që do të marrë zoti Arbian Mazniku. Gjatë verës Rama ka dhënë disa mesazhe, kur nisi atë aksionin e shkarkimeve të administratorëve nga Vlora, ai pati në krah zotin Mazniku. Aty u duk sikur zoti Rama po orientonte në një farë mënyre pushtetin ose projeksionin e qeverisë së re”, tha Koka në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Më tej ai tha se qeveria “Rama 4” do të ketë emra teknicienësh që i shkojnë për shtat reformave dhe procesit të integrimit në BE dhe se kryeministri do të “çlirohet” nga vartësit që kanë çështje të hapura me drejtësinë.

Kam lexuar se edhe nga informacionet që kanë dalë deri tani, janë dy mënyra që mund të ndërtohet qeveria. Gjëja e parë është që flitet për një qeveri më teknike, për shkak të punës që do duhet të bëjë qeveria për afrimin e legjislacionit për integrimin në Be dhe e dyta për çlirimin e qeverisë nga ngarkesa e ministrave që mund të kenë çështje me organin e akuzës”, zbuloi Koka në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN. (A2 Televizion)