Spitaleve u thuhen “të përgatiten për l*ftë” brenda kësaj date

Spitalet franceze kanë marrë një udhëzim zyrtar që të jenë gati për një “angazhim të madh ushtarak” brenda marsit 2026.

Lajmi u publikua fillimisht nga e përjavshmja satirike Le Canard enchaîné, ndërsa u konfirmua më pas edhe nga ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin.

Një letër e dërguar nga Ministria e Shëndetësisë në korrik theksonte se spitalet duhet të përgatiten për trajtimin e ushtarëve francezë dhe të huaj të plagosur, me kapacitet për të përkujdesur 10 deri në 15 mijë persona për një periudhë deri në 180 ditë.

Po ashtu, është kërkuar ngritja e qendrave të përkohshme pranë porteve dhe aeroporteve për transport të shpejtë të trupave.

Vautrin tha se ky plan është pjesë e masave parandaluese, duke e krahasuar me stokimin strategjik të emergjencave. “Le të mos harrojmë se gjatë Covid-19 vendi ishte i papërgatitur,” u shpreh ajo.

Ky zhvillim vjen vetëm pak muaj pasi qeveria franceze publikoi një manual 20-faqësh me 63 masa për mbrojtjen e qytetarëve në raste konflikti të armatosur, fatkeqësish natyrore apo aksidente industriale.

Manuali përfshin këshilla për furnizimet bazë dhe veprimet gjatë një sulmi bërthamor.

Franca, njësoj si Britania, ka rritur edhe buxhetin e mbrojtjes, duke e çuar në 3-3.5% të prodhimit të brendshëm, nga 2% që është aktualisht.