Pak pasi Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte thirrur në një takim Altin Dumanin, gjërat nisën të qartësohen. Departamenti i Drejtësisë publikoi një raport investigues për çështjen e Charles McGonigal, duke u fokusuar ekskluzivisht tek lidhjet e tij me Edi Ramën dhe rrethin e tij të ngushtë.
Raporti me shumë faqe ishte goditja më e rëndë që i jepet kryeministrit shqiptar në lidhje me këtë çështje. Por ky raporton vinte pak ditë pasi gazetari dhe studiuesi i njohur amerikan, Matt Palumbo, kishte deklaruar në SYRI TV se presidenti Donald Trump e urren Charles McGonigal, pasi ky u përdor nga e majta amerikane për të shpikur një hetim për gjoja ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Qëllimi ishte që të hidheshin hije dyshimi mbi legjitimitetin e atyre zgjedhjeve. Palumbo tha se Trump e ka vendosur ish-agjentin e lartë të FBI-së në krye të listës së hakmarrjes. Raporti i fundit i inspektorëve të ministrisë së drejtësisë në SHBA e tregon qartë këtë.
Përpos çështjes ruse dhe asaj shqiptare, në këtë raport dominon një tjetër çështje, e cila nuk është hetuar nga drejtësia amerikane dhe mund të provohet si një goditje fatale për Edi Ramën.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturën çështje kineze.
Sipas medieve më të mëdha amerikane, Charles McGonigal ka punuar për një kompani shtetërore kineze, të quajtur CEFC, duke rrjedhur informacione pranë saj për mundësinë e hetimeve dhe arrestimeve nga FBI.
Për të kompromentuar hetimet e FBI-së, Charles McGonigal ka përdorur as më shumë dhe as më pak, por këshilltarin e ngushtë të Edi Ramës, Dorian Duçkën. Historia bëhet akoma më e frikshme kur mendon se pikërisht kinezët e Dorian Duçkës kanë sponsorizuar një ekspozitë personale të Edi Ramës në Hong Kong në nëntor të vitit 2015.
Kjo është një lidhje që është bërë publike, ndërkohë që lidhjet e nëndheshme duhet të jenë më të forta. Në kohën kur Kina kërkon një rend të ri botëror dhe përplasjet SHBA-Kinë janë gjithmonë e më të forta, Edi Rama del sërish në shënjestrën e politikës dhe drejtësisë amerikane. Këtë herë më qartë se kurrë, duke treguar se laku është ngushtuar shumë për kryeministrin shqiptar.