E përcolla dhe e shikova intervistën e Ramës në Opinion.
Nuk ishte një rrëfim i zakonshëm politik, por një shfaqje e menduar me kujdes për të projektuar atë që ai do ta quante mandati i katërt si koncept. Nuk është rastësi që intervista u bë në Kopshtin e Edenit, një hapësirë të ngritur jo vetëm si hapësirë estetike, por si metaforë politike. Përmes këtij peizazhi të kuruar, ai i dha shikuesit perceptimin se Shqipëria e tij është pjesë e së njëjtës logjikë, integritet qeverisës, dinjitet ndërkombëtar dhe imazh i kuruar me kujdes.
Rama e shpjegoi se ministritë nuk duhet të merren më me tendera, por me politika. Ky është një korrigjim i kahershëm i logjikës shqiptare të pushtetit, ku çdo dikaster shndërrohej në portë financiare e jo në laborator politikash. Dilema është nëse ky model do të funksionojë në praktikë ku ministrat me përvojë mund të humbasin terrenin ku kanë ushtruar pushtet real, ndërsa ministrat e rinj, që Rama i sheh si përfaqësues të integritetit dhe estetikës, mund të përplasen me rezistencën e një administrate që nuk ndryshon me metafora.
Përparësia është se kjo ndarje e qartë midis politikës dhe financës krijon një distancë të re nga korrupsioni, nëse vërtet zbatohet.
Në bërthamë të këtij rrëfimi qëndron turizmi. Rama e sheh turizmin si pasqyrë të imazhit kombëtar. Ai përmendi emra pushtetarësh dhe miliarderësh ndërkombëtarë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të investuar. Në vizionin e tij, kjo nuk është thjesht ekonomi, por legjitimim ndërkombëtar i pushtetit.
Dilema që mbetet është kjo, turizmi i rritur nuk mund të mbulojë plagët strukturore të ekonomisë, që mbeten të varura nga remitancat dhe importet. Por përparësia është e dukshme sepse Shqipëria po bëhet dhe është histori suksesi në Ballkan, një vend që tregon se edhe e vogla mund të tërheqë kapital dhe kuriozitet.
Një element i ri ishte industria ushtarake. Prodhimi i dronëve dhe teknologjive mbrojtëse shfaqet si një ambicie e madhe për një vend pa industri të rëndë. Është një projekt që synon të përforcojë identitetin shtetëror, duke e lidhur Shqipërinë me teknologjitë e së ardhmes. Por dilema është nëse kjo është e realizueshme në mungesë të kapitalit dhe dijes lokale. Përparësia është te perceptimi se Shqipëria nuk është më vetëm vend turistik, por edhe aktor teknologjik e strategjik, edhe nëse përmasa e vërtetë e këtij prodhimi mbetet e vogël.
Arsimi dhe shëndetësia u shfaqën si projekte ndërkombëtare. Rama premtoi se ato do të lidhen me standarde të huaja, jo me rrjetet e vjetra të tenderëve vendorë. Këtu shfaqet një tjetër kontrast: dëshira për integritet nga njëra anë dhe realiteti i mungesës së mësuesve e mjekëve nga ana tjetër.
Përparësia është që duke i lidhur këto fusha me projekte ndërkombëtare, ai i jep një dimension të ri besueshmërisë. Dilema është se qytetari i zakonshëm nuk jeton me projekt, por me shkollën e lagjes dhe spitalin ku mungojnë barnat.
Një tjetër risi ishte inteligjenca artificiale si instrument i sistemit të prokurimit. Rama e përmendi këtë jo vetëm si teknologji, por si filozofi të pastërtisë. Si një algoritëm pa interesa personale që do të mbikëqyrë proceset e ndjeshme financiare. Kjo është një përpjekje për të përzier mitin e transparencës digjitale me qeverisjen reale.
Dilema qëndron nëse kjo mund të bëhet pa deformuar funksionet e shtetit dhe pa mbivendosur pushtetin mbi një teknologji që ende është e brishtë. Por është gjithsesi një përparësi e perceptimit kur Rama lidhet me fjalën më të fuqishme të dekadës, inteligjencën artificiale.
Intervista ishte pra një ese vizuale ku Rama përpiqej të tregonte se pushteti i tij nuk është konsumuar, por është transformuar në një estetikë qeverisëse. Simboli i Edenit nuk ishte dekor, por një mesazh për shikuesin se Shqipëria është e njëjtë me këtë kopsht, e kuruar, e rregulluar, me shije, me integritet.
Por dilema më e madhe mbetet e pazgjidhur: a mundet që kjo Shqipëri simbolike të përputhet me Shqipërinë reale të plehrave,(edhe pse është shumë më mirë. Pikërisht Golemi që ai përmendi ka probleme serioze me ujëra të zeza dhe plehra pa fund) ikjes së të rinjve dhe mungesës së shërbimeve bazë?
U pa qartë se mandati i katërt i Ramës është përpjekja për ta shndërruar politikën në një art të pushtetit, ku imazhi dhe integriteti bëhen instrumente të qeverisjes. Por suksesi i tij nuk do të matet në Eden, as në projekte dronësh, as në algoritme, por nëse qytetari do ta ndjejë këtë estetikë të pushtetit në jetën e tij të përditshme. Rilindja urbane e arriti qëllimin dhe e ndryshoi shijen shqiptare.
Në fund, mandati i katërt i Ramës mbështetet mbi tri shtylla që ai i ngre si gurë themeli: integritetin qeverisës, shijen estetike dhe dinjitetin ndërkombëtar. Ministrat dhe projektet e tij nuk janë thjesht rotacion administrativ, por pjesë e një narrative ku pushteti duhet të duket i pastër dhe i bukur, njësoj si peizazhi i Edenit ku ai zgjodhi të fliste.
Historia e njeh këtë logjikë me kryeministrin Lee Kuan Yew qe ktheu Singaporin nga një port i rrëmujshëm në një shtet të pasurisë dhe disiplinës, ku moderniteti dhe integriteti shtetëror u bënë pjesë e një identiteti kombëtar.
Por modeli i Singaporit ishte i mbështetur mbi autoritarizëm. Pyetja që ngrihet për Ramën është nëse ai mund ta mbajë shijen, integritetin dhe dinjitetin si busull të qeverisjes, por pa rënë në tundimin e një autokracie singaporiane. Dhe këtu nuk është fjala vetëm për atë që do Rama, por për atë që duan edhe shqiptarët: një Shqipëri që të ngjan me Edenin, por që të mbetet brenda demokracisë.