Prej muajsh s’u jep rrogat gazetarëve, pronari i MCN TV djali i Leka Meksit: S’më do k*ri!

Situata në televizionin privat MCN TV, në pronësi të Endri Meksit, djalit të ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, duket se po përshkallëzohet gjithnjë e më shumë.

Pas akuzave të shumta publike për mosdhënie pagash prej muajsh, pronari i televizionit ka reaguar me një gjuhë të papranueshme ndaj një postimi të bërë në Facebook nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, ku trajtohej pikërisht ky problem. Në vend të një sqarimi apo përgjegjësie, Meksi ka komentuar literalisht: “S’më do k*ri!”.

Ky reagim, i konsideruar skandaloz dhe i papranueshëm për një drejtues mediaje, tregon jo vetëm mungesë respekti ndaj ish-punonjësve, por edhe arrogancë dhe përçmim ndaj profesionit të gazetarisë në përgjithësi.

Kjo situatë nuk është e re. Dy muaj më parë, një gazetare denoncoi në redaksinë e JOQ Albania se punonjësit e MCN TV kishin 6 muaj pa marrë rroga, duke përshkruar trajtimin nga drejtuesit si fyes dhe të pandinjitetshëm. Sipas saj, edhe kërkesat tek Inspektorati i Punës kishin mbetur pa përgjigje, duke lënë stafin pa asnjë mbrojtje ligjore.

Ndërkohë, një ditë më parë aktorja dhe prezantuesja Delinda Disha akuzoi publikisht pronarin Meksi dhe administratoren Marsida Karabollaj për mosdhënie pagash prej 5 muajsh dhe vendosje gjobash ndaj punonjësve. Sipas saj, mbi 100 punonjës nuk kanë marrë pagat që prej muajit prill, ndërsa pagesat kryhen përmes kompanisë JOHANITERI Shpk, duke dyshuar për shmangie të deklarimit të taksave.

Rasti i fundit tregon se kriza në këtë televizion nuk është vetëm financiare, por edhe etike. Përdorimi i një gjuhe të tillë vulgare në publik nga një pronar mediaje, në vend të përgjegjësisë për denoncimet e punonjësve, e thellon edhe më shumë skandalin.

Është e qartë se situata në MCN TV ka krijuar një klimë toksike për gazetarët dhe punonjësit e saj, ndërsa frika për të folur publikisht tregon mungesën e mbrojtjes ligjore. Përballë këtyre zhvillimeve, është e domosdoshme që institucionet përkatëse të ndërhyjnë dhe të marrin masa për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve.