Fitim Dumani, vëllai i killerit Nuredin Dumani, tha në emisionin “MaShqip” të gazetarit Flamur Vezaj se vëllezërit Hajdar e Franc Çopja kanë vrarë në restorantin e tyre në Elbasan duke ngrënë bukë të shumërkërkuarin Talo Çela, pasi Çela dinte shumë rreth krimeve të tyre dhe kishte rrezik se mund të fliste një ditë. Një pretendim i tillë i rëndë nuk është i provuar. Mund të jetë e vërtetë, por mund të jetë edhe sajesë.
Gjithsesi, zbërthimi i komunikimeve të figurave të krimit në aplikacionet “Sky” dhe “Encro”, ka ekspozuar jo vetëm intrigat, kurthet dhe planet, por edhe besëprerjen si element që karakterizonte disa personazhe dhe klane kriminale.
Një nga episodet më të rënda lidhet me masakrën me tre të vrarë në Bradashesh, në vitin 2018, ku një ditë më pas, Franc Çopja, organizatori dhe financuesi kryesor i vrasjeve, shkon në varrimin e shokut të tij, Endrit Alibej.

Franc Çopja është ‘solidarizuar’ me familjarët e të ndjerit Endrit Alibej, duke i hedhur 50 euro në formë ngushëllimi. Në bisedat e “Sky”, Franc Çopja i përshkruan kushëririt të tij Renato Musaku dhe situatën e rëndë që ishte në familjen e Endrit Alibej, duke i thënë se gruaja rumune e Endritit qante në gjuhën e saj Rumune duke thënë: “…Endrit jubira miaaaa…”. Dy kushërinjtë qeshin dhe tallen me dhimbjen e familjarëve të Alibejt.
Ledjan Alushaj dhe Edmond Papa akuzohen se vranë Sadikajn dhe më pas e qanë
Në 11 qershor të vitit 2022, tek rrethrrotullimi i TEG, në dalje të Tiranës me drejtim Elbasanin, u ekzekutua Aleksandër Sadikaj, 27 vjeç, i njohur si ‘Sanço’. Shpërthimi i një sasie të madhe eksplozivi të montuar në makinën e tij i mori jetën në vend të riut, i cili ishte pjesë e një grupi që trafikonte drogë. Nëna dhe motra e Sadikajt kanë akuzuar vetëm dy personazhe për krimin; Ledjan Alushaj, shoku i ngushtë i Sadikajt, i strehuar në Dubai, si dhe Edmond Papa, gjithashtu bashkëpunëtor dhe shok i Sadikajt, i ekzekutuar më pas në Tiranë.

“Alexandër Sadikaj u vra nga shoku i tij i ngushtë Ledian Alushaj nga Mallakastra me vendbanim në Sarandë. Ledion Alushaj kishte vendosur tritol në makinën e Aleksandrit kur Aleksandri ia kishte dhënë makinën e tij me mirëbesim për ti bërë disa servise tek daja i Edmond Papës pra këta të dy në bashkëpunim vranë Aleksandrin. Mbrapa krahu ndërkohë që hanin e pinin me të, ditën tjetër erdhi në varrim Ledjon Alushaj bashkë me Edmond Papën qëndruan gjithë natën në shtëpinë tonë dhe “bënin sikur qanin”. Ledjon Allushaj ngriti arkivolin e Aleksandrit deri tek varrezat në krahë, ai që e vrau ishte aty, na ngushëllonte edhe qante bashkë me ne. Ja pra kush janë trimat e sotëm ata që kanë dy lekë mendojnë se mund të vrasin edhe të bëjnë gjëra të tmerrshme në tokë, këta pra janë gangsterat e sotëm që kanë lekë dhe vrasin shokët mbrapa krahëve. Këtë gjë e di gjithë Shqipëria tani më. E di shteti gjithashtu. Ledjon Allushaj fshihej si miush edhe vazhdon vret shokët e tij, ai njeri që vinte në shtëpinë tonë hante dhe pinte me ne. Vëllai im luante me djalin e Ledjon Alushajt e përkëdhelte e puthte ndërkohë që ai kishte vendosur tritolin tek makina e Aleksandrit. Zoti është i madh, u zbulua gjithçka shumë shpejt“, ka pohuar Vanesa, motra e të ndjerit Aleksandër Sadikaj.
Nëna e Sadikajt ka rrëfyer; Djali im ka qëndruar në hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë së bashku me shtetasit Ledjan dhe Xhoni me origjinë nga Fieri dhe banues në Sarandë. Pak kohë para se të vritej, Aleksandri më ka thënë se automjetin tip Golf me ngjyrë të bardhë e kishte lënë disa ditë për ta rregulluar në fshatin Kurjan në Fier, tek magazinat në pronësi të dajës së Edmond Papës. Ai që i sugjeroi djalit tim për ta çuar makinën në Kurjan, ishte Ledjani, i cili është lidhje e ngushtë shoqërore e vëllezërve Papa. Pas vrasjes së djalit tim Aleksandrit, kam kërkuar që të takohem me Ledjanin, të cilit i ka çuar fjalë nëpërmjet Xhinos. Ky i fundit më ka thënë që Ledjani kishte fshirë të gjitha rrjetet sociale dhe nuk dëshironte të më takonte. Pasi pashë që Ledjani nuk donte të më dilte në takim, ndodhur në këto kushte kam shkuar vetë tek hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë. Por edhe këtë herë ai nuk më ka dalë në takim. Për arsye të cilat nuk mi bëri të njohura. Më datë 17 Dhjetor 2022 në shtëpinë time në Memaliaj ka ardhur Xhino, i cili më ka thënë që ishte kthyer nga varrimi i Edmond Papës dhe më ka kërkuar që ta shoqëroja për në varreza, tek varri i Aleksandrit. Xhino më ka treguar nga telefoni një video që Aleksandri kishte regjistruar vetëm pak minuta para se të vritej, që tregonte një sipërfaqe toke që kemi në pronësi në afërsi të Qendrës Tregtare ‘TEG’ dhe për këtë pronë kishte shfaqur interes për ta blerë Ledjani. Xhino më ka pohuar që vëllezërit Papa dhe Ledjani, mbajnë armë zjarri dhe lëndë eksplozive në ambjentet e Hotel ‘Blu Sky’, në Sarandë. Dyshoj se vrasja e djalit është organizuar nga vëllezërit Edmond Papa dhe Kristo Qiriqi, alias Jetmir Hoxha, në bashkëpumim me Ledjanin“.
Durim Bami gati të shesë çdo shok dhe mik
Në dosjen Metamorfoza 3 për perandorinë e krimit në Shqipëri shfaqet kudo pabesia mes anëtarëve të grupeve, ku spikat Durim Bami i Niklës, i cili tregohet i gatshëm për të shitur shokët, për t’i nxjerrë në pritë, për të ruajtur pozitat e veta.

Referuar gjithnjë dosjeve të SPAK-ut, ish deputeti Arben Ndoka është investuar për të vrarë Durim Bamin, pasi dyshon se Bami ka gisht në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka.
Arben Ndoka komunikon me Behar Bajrin. Në një moment Behar Bajri informon Arben Ndokën se Durim Bami do të shkonte në Shkodër për t’i dërguar ca para, një rast ky për t’a vrarë. Por, Bami ia dërgon paratë me dikë dhe plani dështon.
Nga ana tjetër Durim Bami i çon fjalë Arben Ndokës për t’u normalizuar, por ndërkohë i ofron cilin do nga shokët e tij për t’ia nxjerrë në pritë vetëm që hesapet mes tyre të mbyllen. Në komunikime, Bami thotë se është gati t’i dorëzojë Ndokës cilindo shok të tij në krime, me përjashtim të të vëllait, Valterit.
Por Ndoka kërkonte kokën e Bamit. Ndërkohë, teksa përpiqet t’a vendosë në gjumë, Durim Bami bën plan për t’a vrarë Ben Ndokën te pallati para Fakultetit Ekonomik, kur Ndoka do të shkonte për të pirë në kafe.
Behar Bajri vrau shokun e ngushtë, gati të shiste edhe Durim Bamin
Behar Bajri, i cili dyshohet se vrau gruan e tij 15-vjeçare Fabiola Harxhi në gjumë në vitin 2002 me të njëjtën pistoletë që kishte vrarë shtetasin Arben Tuzi, referuar dojseve Sky Ecc rezulton se pret në besë shokët, i vret natën dhe u shkon ditën për ngushëllim.

Nga komunikimet del në pah që Behar Bajri tenton t’i nxjerrë Arben Ndokës në pritë Durim Bamin, duke e ftuar Bamin për drekë në Shkodër. Ndërkaq, në gusht të vitit 2020, Bahar Bajri arganizon vrasjen e shokut të tij Gjin Ndoji (Boriçi) në Vaun e Dejës, ndërsa të nesermen i shkon për ngushëllim në shtëpi dhe merr pjesë në varrimin e tij.
Gjin Ndoj alias Boriçi ishte një nga miqtë e ngushtë të Behar dhe Safet Bajrit. Ndoj ka qenë njëri nga të dyshuarit e policisë, që rezulton të jetë marë në pyetje për vrasjen e Fatbardh Licit.
Ndoji ishte lidhje edhe e Vis Martinajt. Ky i fundit kishte paranojë se ndoshta Gjin Ndoji, një personazh me potencial të madh kriminal, mund të bashkohej me kundështarët e tij Leonard dhe Elis Duka, pasi kishte dëgjuar se ashtu ishte shprehur Ndoji në një tavolinë pasi Dukët paguanin më shumë për krimet me porosi.

Për shkak të dyshimit të tij, Vis Martinaj bën pakt me Behar Bajrin për të eliminuar shokun e përbashkët, për të cilin më vonë shprehet se e kishte vrarë kot. Behar Bajri merr përsipër vrasjen e Gjin Boriçit, ndërsa Ervis Martinaj do të vriste Kleant Musabelliun menjëherë pas vrasjes së Gjin Ndojit, pasi Musabelliu kishte plagosur investitorin strategjik Pëllumb Gjokën, pjesë e grupit Bajri. (Behar Bajri i ishte ofruar Gjokës që t’a vriste vetë për qejf dhe pa lekë Musabelliun, por Pëllumb Gjoka kërkonte që vrasja të kryhej me pagesë).
Disa orë para se të vritej, Gjin Ndoj bisedon me Behar Bajrin, duke e njoftuar këtë të fundit se e kishte parë me BMW në zonën e Shëngjinit, duke e paralajmëruar që të bënte kujdes, pasi në atë zonë kishte prezencë të madhe të policisë dhe FNSH kishte dalë për kontrolle. Në fakt në këtë kohë Behar Bajri bisedonte me Denis Brajoviç, Pëllumb Gjokën, Edmond Prekën dhe persona të tjerë lidhur me mobilizimin për vrasjen e vetë Gjin Ndojit.
Denis Brajoviq në orën 02:43 të datës 8 gusht 2020, i shkruan Behar Brajoviq dhe i tregon se ku e ka qëlluar Gjin Ndojin duke dërguar mesazh: “…Gjoks e kry kapedan, mu blloku se dosha me ja gri kryt, se më tha diçka…”.
Nga kjo bisedë del qartë se arma është bllokuar ndërsa viktima edhe pse ka qenë në grahmat e fundit të jetës, rezulton t’i ketë folur autorëve. Pas vrasjes Behar Bajri ka njoftuar në mesnatë biznesmenin Pëllumb Gjoka, ku me tyre zhvillohet kjo bisedë:
Behari: “…u kry, tani presim atë tëndin, atë që deshti ai u kry. Gjinin deshti ai…
Pëllumbi shprehet: “…ok vëlla…, kjoft me zotin, futja gjumit tani…
Të nesërmen, organizatorët kanë marrë pjesë në varrimin e shokut të tyre. Pas vrasjes së Gjin Boriçit, biznesmeni Pëllumb Gjoka komunikon me oficerin e Policisë Ardit Hasanbegaj të cilin e urdhëron të mos merret me zbardhjen e ngjarjes.
Nuredin Dumani njihte vetëm paratë
Bashkëpunëtori SPAK-ut Nuredin Dumani ishte një vrasës në ‘treg’ me pagesë, i cili kontraktohej nga grupet kriminale. Pjesë e krimit ishte edhe vëllai i tij, Dashnor Dumani.

Dy vëllezërit i përkisnin dy grupeve kriminale rivale. Dashnori punonte për llogari të Çopjave me Talo Çelën. Nuredini ishte kthyer në një ndihmës të Erion Alibej në planin e tij për të marrë hak.
Nëse Alibej i jepte përshembull 100 mijë euro Dumanit për të vrarë Talo Çelën, Dumani mund të vriste Alibej nëse Çela i jepte 150 mijë euro. Dumani ka shitur edhe vëllanë e tij, duke e implikuar në masakrën e Bradasheshit.
“Dashi më ka treguar se në atë ngjarje (masakra e Bradasheshit) kanë marrë pjesë shumë persona, ku një prej tyre është Fatos Gosa ka dhënë në vijimësi informacione në lidhje me lëvizjet e Endrit Alibej natën e atentatit si dhe në ditë të tjera para atentatit. Atë natë para se ti bëhej atentati Endrit Alibej së bashku me mamanë e tij, bashkëshorten e tij, e cila është shtetase rumune dhe në atë kohë ka qenë shtatzënë. Nga vëllai im Dashi, kam mësuar se vrasjan e Endrit Alibej është tentuar që të bëhej edhe ditë të tjera, konkretisht 5-6 ditë para ngjarjes. Persona pjesëmarrës në këtë ngjarje kanë qenë Talo Çela, Altin Ndoci, Miri Haxhia, Dorian Shkoza, Mikael Qosja, Gent Sharra, Eljo Bitri, vëllai im Dashnor Dumani si dhe persona të tjerë që mund të dijë vëllai im. Në këtë ngjarje, atë natë Gent Sharra ka pasur rolin e organizimit të vrasjes sepse ai ka mundësuar vënien në dispozicion të makinës tip “Benz”. Atë natë në makinë ka shkuar dhe e ka marrë në këtë shtëpi Gent Sharra së bashku me vëllain tim. Për këtë ngjarje unë kam folur me Dashin nëpërmjet një telefoni të kriptuar, ku edhe e kam pyetur nëse ai ka marrë pjesë në atë ngjarje (masakrën) dhe çfarë roli ka patur. Dashi më ka treguar se ai ka marrë pjesë tek vrasja e trefishtë e Bradasheshit, ku ka qenë në një makinë me atentatorët por nuk ka goditur sepse ngjarja ka ndodhur shumë shpejt dhe është hutuar. Në bisedë me Dashin me telefon të kriptuar SkyECC vetëm kaq kam biseduar në lidhje me këtë ngjarje. Ndërsa detajet Dashi mi ka treguar kur ka qenë në Shqipëri para se të largohej në Gjermani në vitin 2016, por në atë kohë nuk më tregoi se ai kishte marrë pjesë këtë gjë ma pohoi më pas kur ai ndodhej në Gjermani kur kemi biseduar me telefon të kriptuar. Nga Dashi kam mësuar se në atentatin ndaj Endrit Alibej dhe të afërmve të tij kanë marrë pjesë 2 makina, në të cilat kanë qenë Talo Çela, Miri Haxhia, Altin Ndoci, Dorian Shkoza dhe Dashi. Gjithashtu ka patur edhe persona të tjerë që kanë ndihmuar atentatorët atë natë, por nuk i di me emra konkret“, ka rrëfye Dumani.