Siç është bërë prezent edhe në media, më 11 shtator do të mblidhet Asambleja e Partisë Socialiste, ku pritet të prezantohet qeveria e re “Rama 4” pas fitores në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ky moment është shndërruar në ngjarjen politike më të komentuar të ditëve të fundit, teksa opinioni publik dhe vetë socialistët presin me padurim të mësojnë emrat e kabinetit që do të drejtojë vendin për katër vitet e ardhshme.
E pra, pesë ditë para se Kryeministri Edi Rama të zbresë nga tribuna e Asamblesë për të shpallur zyrtarisht kabinetin e tij qeveritar, një tjetër tribun – jo i politikës klasike, por i fjalës së lirë dhe mendimit të drejtpërdrejtë – ka vendosur të “paraprijë” me versionin e tij të qeverisë së re.
Bëhet fjalë për biznesmenin e njohur Gjergj Luca, i cili prej kohësh ka ndërtuar një profil publik si komentues i zëshëm i zhvillimeve madhore në vend. Ashtu siç ka bërë në raste të tjera, edhe këtë herë Luca nuk ka pranuar të mbetet spektator. Ai doli këtë fundjavë me një deklaratë që u bë menjëherë virale, duke shpallur sipas tij, “ministrat” e qeverisë Rama 4.
“Plasa, nuk rri dot pa dhënë edhe unë mendje për qeverinë Rama 4 dhe ja ku i keni ministrat e rinj: Grida Duma ministre e Jashtme dhe e Integrimit, lushnjarja Anila Basha ministre e Bujqësisë, Mirela Kumbaro në Turizëm, Fahriu te Propaganda… Desh harrova, edhe Gjergj Luca zëvendës kryeministër!”, u shpreh me humor biznesmeni.
Deklarata e tij u prit si një ndërthurje mes ironisë dhe reflektimit mbi ankthin politik që ka pushtuar vendin në prag të 11 shtatorit. Duke ditur kureshtjen e shqiptarëve për ata që do të marrin në dorë drejtimin e ministrive, Luca u shfaq si “parashikues” i lirë, që hedh në lojë emra të njohur nga politika e së djathtës dhe së majtës, duke krijuar një tablo sa satirike aq edhe provokuese.
Emrat e përmendur nga Luca nuk janë të rastësishëm. Përfshirja e Grida Dumës, një ish-deputete e Partisë Demokratike e njohur për profilin e saj publik, është lexuar si thumb ndaj logjikës së përfolur se Rama mund të “thyejë” rregullat e përzgjedhjes duke ftuar në qeveri edhe figura jashtë Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, përmendja e Anila Bashës si ministre e Bujqësisë përkon me origjinën e saj lushnjare, duke shfaqur edhe një lloj simbolike krahinore që shpesh ndikon në vendimet politike.
Ndërkohë, rikthimi i Mirela Kumbaros në Turizëm është një zgjedhje që Luca e sheh si të natyrshme, duke qenë se Kumbaro ka një eksperiencë të gjatë në këtë fushë. Përmendja e Fahriut “te propaganda” është interpretuar si shigjetim i drejtëpërdrejtë ndaj rolit të medias dhe komunikimit politik në Shqipëri. Dhe, si për të mbyllur me humor, Luca e vendosi edhe veten si zëvendëskryeministër, duke i dhënë shije autoironike gjithë deklaratës.
Përtej shakasë, dalja e Lucës është tregues i klimës politike ku çdo status në rrjetet sociale, çdo deklaratë e beftë, arrin të bëhet pjesë e narrativës për qeverinë e re. Mes thashethemeve, parashikimeve dhe analizave, ajo që mbetet e sigurt është se të shtunën e 11 shtatorit, vetëm Kryeministri Edi Rama do të japë versionin përfundimtar të “Rama 4”. Deri atëherë, fjala e lirë – nga politikanë, analistë apo biznesmenë si Gjergj Luca – vazhdon të prodhojë skenarë e të mbajë gjallë debatin publik.