Detaje të reja dalin lidhur me krimin e makabër të regjistruar në Viotia të Greqisë, ku një 62-vjeçare groposi nënën e saj në afërsi të banesës, për të përfituar nga pensioni i saj, pasi nuk e deklaroi të vdekur.
Siç raporton Protothema.gr Prokuroria greke ka urdhëruar një hetim paraprak për vrasje të mundshme me dashje, pas zbulimit tronditës ku e moshuara ishte varrosur në fshehtësi nga vajza e saj, në mënyrë që kjo e fundit të përfitonte nga pensioni.
Sipas zëdhënëses së Policisë Greke (ELAS), Constantia Dimoglidou, trupi i të moshuarës u gjet në një gjendje të dekompozuar, duke sugjeruar se ajo dyshohet se është varrosur prej më shumë se 2 vjetësh, në një gropë të cekët pranë shtëpisë së saj.
Dyshime për mashtrim dhe bashkëpunëtorë
Krahas hetimeve për vrasje të mundshme, prokuroria ka kërkuar gjithashtu verifikimin e një mashtrimi të rëndë në vlerën e mbi 120,000 eurove, shumë kjo e përfituar nga vajza 62-vjeçare përmes përvetësimit të pensionit të nënës së ndjerë.
Po ashtu, do të hetohet nëse ka pasur bashkëpunëtorë, pasi 62-vjeçarja ka folur një burrë shqiptar me emrin Jani”, i cili e kishte ndihmuar për ta varrosur trupin. Aktualisht, ai nuk ndodhet në fshat dhe vendndodhja e tij është e panjohur, sipas deklaratave të avokatit mbrojtës.
Avokati i të pandehurës deklaroi se klientja e tij nuk kishte qëllim kriminal, por veproi nga vështirësitë ekonomike.
Megjithatë, autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë vrasjen me dashje.