“Nuk kam fjalë“, ka qenë ky reagimi i ish-zv/ministrit Andi Mahila i cili u shkarkua nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu.
Në reagimin e tij për gazetarin Besmir Pula, ish-zv/ministri i Brendshëm ende nuk e beson që është shkarkuar se po pinte duhan në një restorant, ku sipas tij lejohej konsumimi i cigares.
“Po edhe në restorant në Shqipëri në vend ku lejohet duhani, po tani nuk ka vlerë fare këto. Një gjë, nuk kam fjalë dhe nuk kam thyer rregulla, për këtë kam bindje dhe jam i sigurtë domethënë”, tha ish-zv ministri për gazetarin, Besmir Pula.
Kujtojmë se në reagimin e saj ministrja Koçiu sqaronte se bëhet fjalë për një denoncim të ardhur nga New York nga një shtetas shqiptar.
Ky i fundit i ndodhur në një restorant me familjen e tij dhe Andi Mahilën, ishte ndjerë i bezdisur nga konsumimi i cigares në ambient të mbyllur nga zv.ministri.
Pas kësaj ankese, ministrja e Brendshme lajmëroi zëvendësin e saj për shkarkimin nga detyra për shkak të kësaj shkelje ligjore.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu ka konfirmuar lajmin se ka shkarkuar nga detyra zëvendësin e saj Andi Mahila.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Koçiu përmes një deklarate publike, ku shpjegon dhe arsyet e këtij vendimi.
Koçiu thotë se një qytetar e ka denoncuar zëvendësministrin se ka pirë cigare në ambientet e brendshme të një restoranti.
“Konfirmoj sa ka dalë në shtyp lidhur me largimin e zëvendësministrit. Kam marrë një denoncim nga një bashkatdhetari ynë në New York, i cili bashkë me familjen kishte përjetuar shqetësim për faktin se zv.ministri i Brendshëm tymoste cigare në restorant. Bëra verifikimin përkatës dhe i komunikova zv.ministrit largimin nga detyra.
Çdokush mund të gabojë padashje dhe mund të mirëkuptohet, por të pish cigare brenda në lokal nuk është një gabim padashje, po një shkelje e pajustifikueshme e ligjit. Aq më tepër për një drejtues të një institucioni si Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga ana ime e kam njoftuar bashkëatdhetarin që dërgoi mesazhin, se shqetësimi i tij i drejtë nuk ra në vesh të shurdhër.
I siguroj të gjithë qytetarët, që do të denoncojnë shkelje të cilitdoqoftë, se do të dëgjohen me të njëjtin respekt. Jo vetëm me fjalë por me qëndrimet parimore, që ata me plot të drejtë presin prej nesh”, shkruan Koçiu.