Ish-kryeministri Sali Berisha paraditen e kësaj të mërkure postoi një foto në rrjetet sociale ku ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako shihej teksa qëndronte i rehatuar në qeli në prezencën e një mikut të tij të vjetër, drejtorit të dorëhequr të Tatimeve, Ron Shqopa.
Ndërkohë, sipas gazetarit Elton Qyno mësohet se kjo foto është shkrepur jo në qelitë e zakonshme të IEVP-së Durrës, por në ambientet e një dhome speciale që ndodhet në spitalin e Durrësit, dhomë e cila është e dedikuar vetëm për të paraburgosurit apo të dënuarit.
Kjo dhomë ruhet nga policë dhe dera apo dritaret janë të përforcuara me hekura. Ish-kryebashkiaku i Durrësit qëndroi në këtë dhomë për pak ditë pas problemeve që pati me zemrën.
Gjatë qëndrimit Dako u vizitua nga familjarët dhe të afërmit, përfshirë edhe Ron Shqopa. Ndonëse ambienti i dhomës i përket juridikisht IEVP-së Durrës, ndaj Vangjush Dakos, nuk është marrë asnjë kufizim për ndalimin e futjes të sendeve të palejuara, ku në këtë rast është telefoni që ish-kryebashkiaku ka në duar në foton e publikuar nga Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka postuar së fundmi një foto në rrjetet sociale ku ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, shihet për “shtatë palë qejfe” duke “shijuar” ditët e fundit në qeli.
Por, në këtë foto Dako nuk shihet i vetëm. Përpos shoqërisë së telefonit, në të njëjtin krevat me të qëndron edhe drejtori i Taksave në Durrës, Roni Shqipo, një emër ky i fundit i lakuar prej vitesh nga kryedemokrati dhe i akuzuar disa herë për “pazaret” e tij në shërbim të ish-kryebashkiakut Dako.
“Pershendetje Dr, Vangjush Dako sebashku me drogaxhiun Ron Shqopa ne qeli dhe me celular ne dore”, shkruan Berisha krah fotos ku shihet Dako dhe Shqipo ndërkohë që e konsideron këtë trajtim si “special”. Pasi dhe dhoma ku është duke “vuajtur” dënimin ish-kryebashkiaku është shumë larg atyre që jemi mësuar të shohim. Në shërbim të ish-kryebashkiakut ka një krevat të rehatshëm e komod, perde dhe mjaftueshëm vend për të pritur edhe “mysafirët”.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u rikthye në qeli më 21 shtator. Pasditen e 16 shtatorit, Dako u dërgua me urgjencë në spitalin e Durrësit pasi kaloi në aritmi. Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së të cilët vendosën që të rikthejnë në qeli ish-kryebashkiakun, ky i fundit shfaqi përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe për këtë arsye u shtrua në spital.
Ditë më parë Apeli konfirmoi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg të dhënë nga GJKKO, por sipas përllogaritjeve, Vangjush Dako do të vuajë vetëm 6 ditë në qeli, pasi një pjesë e ka kryer në paraburgim dhe katër ditë të tjera i kreu në spital. Vendimi në Apel u mor nga 3-shja e gjyqtarëve Engert Pëllumbi, Miliana Muça dhe Iliriana Olldashi.
Kujtojmë që Vangjush Dako u arrestua në 6 qershor 2023, por u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.
Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Vangjush Dakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.