Mesditën e 5 gushtit të vitit 2020, i riu Klevis Lleshi, asokohe vetëm 21 vjeç, u largua nga shtëpia për të konsumuar një kafe, por fatkeqësisht nuk u kthye kurrë më.
Mes lotëve dhe dhimbjes, nëna e tij i lutej shtetit që të hidhte dritë mbi zhdukjen e papritur të së birit. Kur vetëm në 2023 efektivët ranë në gjurmët e tij dhe për fat të keq gjetën vetëm trupin e pajetë të Lleshit, të groposur në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit.
Pas kaq vitesh Prokuroria e Posaçme ka mundur që të bjerë në gjurmët e autorëve të rrëmbimit dhe vrasjes të së riut dhe dyshohet se organizatori ka qenë Aurel Hoxha, pronari i lokalit “Monopol” në zonën e “Myslym Shyrit”. Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive hakmarrje që lidhen me vrasjen dhe djegien e emigrantit shqiptar, Afrim Hoxha, në Londër në vitin 2012.
Afrim Hoxha, vëllai i Aurel Hoxhës, ishte rrëmbyer në mjetin e tij dhe ishte mbajtur peng. Më pas ai ishte djegur në një zonë të Londrës dhe policia londineze kishte identifikuar si autorë të dyshuar të krimit, Hajredin Lleshin dhe Arben Lleshin.
Si rrjedhojë dy familjet u bënë “armike” me njëra-tjetrën dhe hasmëria vijoi prej vitesh!
Saga e vrasjeve në familjen Lleshi ka nisur vite më parë. Burri i parë që u vra në familjen Lleshi ka qenë xhaxhai i Klevisit, në vitin 2000, më pas në vitin 2013 u vra dhe i ati i të riut, Xhavit Lleshi në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013. Ndërsa vite më pas, në maj të 2017 dy burra të maskuar qëlluan me breshëri në drejtim të Hajdredin Lleshit.
Lidhur me vrasjen e Afrim Hoxhës, policia dënoi me burg përjetë Arben Lleshin, ky i fundit i vrarë në burgun e Peqinit në 2024. Ndërkohë që dhe i vogli i kësaj familje, Klevis Lleshi dyshohet të jetë vrarë si pasojë e hakmarrjes prej vitesh që ka futur në gjak dy familjet, Lleshi dhe Hoxha.

Lëvizjet e fundit të SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lidhur me vrasjen e Klevis Lleshit ka lëshuar 4 urdhërarreste, ku deri më tani ka ekzekutuar vetëm njërën.
Mësohet se tre persona janë shpallur në kërkim, mes tyre thuhet dhe pronari i lokalit “Monopol”, Aurel Hoxha i cili dyshohet të jetë dhe organizatori dhe urdhëruesi i kësaj ngjarje. Policia e Shtetit, RENEA kanë zbarkuar mëngjesin e sotëm pranë subjektit të këtij shtetasi në zonën e “Myslym Shyrit” ku dhe kanë ushtruar kontrolle.
Gjithashtu me qëllim kapjen e personave në kërkim, efektivët kanë kontrolluar në Mamurras, në Kamëz dhe në Fresk. Lidhur me këtë ngjarje pritet një reagim zyrtar nga policia.

Çfarë deklaronte nëna e Klevis Lleshit në gusht të 2020:
Djali im ka dalë në orën 1 nga shtëpia, është nisur e ka pirë një kafe tek lokali me shoqërinë e vet. Në orën 3, djali ka humbur çdo lidhje dhe çdo kontakt dhe telefoni është fikur, është zhdukur në rrethana misterioze. Unë dyshoj që djali im është marrë nga shoqëria e vet dhe është dorëzuar tek dora e hasmit.
Ne kemi hasëm Ali Hoxhën nga Shtjefni dhe me banim në Mamurras. Ne jemi në hasmëri për arsye se djali i kunatit tim që unë nuk kam asnjë lloj lidhje me djalin e kunatit, prej 12 vjetësh që ishte në Angli, dyshohet se thotë se ka vrarë djalin e Ali Hoxhës. A e ka vrarë a s’e ka vrarë ne nuk kemi asnjë lloj lidhje me të sepse prej 12 vitesh ne edhe në telefon nuk na ka marrë njëherë vetëm më ka pyetur sesi je. Policia asnjëherë nuk më ka kërkuar, e kam kërkuar vetë policinë. Kam ndenjur edhe 2 orë në dyert e gjykatës dhe prokurorisë së Burrelit dhe jam futur me zor brenda për të kërkuar djalin tim që më është nxjerr një fëmijë 20 vjeç në mes të ditës në mes të Burrelit. Kam pritur 8 ditë dhe nuk kam marr përgjigje nga policia dhe gjykata e Burrelit, kam ardhur në Tiranë dhe kam kërkuar takim me ministrin Lleshaj.
Qysh në vitin 2013 është vrarë burri im, në 2017 është vrarë kunati, 6 muaj mbrapa është zhdukur djali i kunatiti 40 vjeç dhe më i fundit djali im 20 vjeç më 5 gusht dhe për 6 vjet, 2 persona janë të vrarë dhe 2 të zhdukur. Nga shteti shqiptar nuk kemi marr asnjë lloj përgjigje, asnjë i arrestuar dhe asnjë i dyshuar. Arsyeja është hasmëria.
Ne deri në atë kohë as nuk na kanë vrarë, kemi jetuar dhe punuar, nuk kam pas asnjë të keqe. Kalvari i këtyre punëve fillon atë ditë që jemi bërë hasëm me Ali Hoxhën. Nga autoritetet shqiptare unë kerkoj, që deri më tani ato nuk kanë bërë asnjë hap para për të gjitha vrasjet. Unë kam heshtur dhe djalin nuk kam dashur ta fus në konflikt. Sepse më është vrarë burri, nuk kam folur tek asnjë gjykatë, tek shteti shqiptar kërkoj drejtësi dhe do flijohem para kryeministrisë, më ka humbur një jetim duke pirë kafe. Dyshimi im është që policia e Burrelit është palë me hasmin dhe krimin.