Pasi janë mbajtur përgjatë gjithë ditës së sotme në ambientet e policisë Gjirokastër, duke dhënë shpjegime të hollësishme, aktualisht dy vëllezërit Danjel dhe Gazmend Braçi si dhe babai i tyre, Eqerem Braçi janë lënë të lirë.
Lajmi për lirimin e tre anëtarëve të familjes Braçi është mësuar nga gazetari Elton Qyno, i cili ka mësuar nga burime të sigurta se tre personat e dyshuar nga policia tashmë janë liruar pasi ndaj tyre deri në këtë fazë të hetimit nuk janë gjendur prova për implikim në krim.
Ngjarja e rëndë e vrasjes së biznesmenit italian ndodhi mëngjesin e sotëm në një fshat të Tepelenës, ku Edoardo Sarchi, mbeti i vrarë si pasojë e një sulmi me armë zjarri.
Sarchi kishte marrë vetëm një plumb në aortën e brendshme të këmbës, duke pësuar hemorragji të madhe gjaku, e për pasojë ka gjetur vdekjen në vend.
Ndryshe nga sa raportuan mediat se italiani ishte goditur me dru në kokë, para se të qëllohej me armë, ekspertiza mjeko-ligjore nuk e vërtetoi këtë fakt.
Biznesmeni dhe djemtë kanë thënë në polici se iu është rrezikuar jeta njësoj si italianit, pasi një automjet në lëvizje ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Edoardo Sarchi sipas dëshmisë është qëlluar me kallashnikov. Biznesmeni dhe djemtë e tij janë larguar për t’ju fshehur breshërisë së plumbave natën e krimit.
Italiani Sarchi dhe familja Braçi nga Levani i Fierit janë bashkë aksionerë në një fabrikë tullash në Tiranë.
Së bashku ata kishin shkuar në fundjavë në zonën e Tepelenës për të gjuajtur lepuj dhe derra të egër.
Por pushimi i fundjavës përfundoi në tragjedi, pasi një person ende i paidentifikuar ka qëlluar drejt 4 personave nga një kënd nga poshtë lart, ku plumbat e armës kanë prekur në këmbë shtetasin italian dhe një plumb ka shpuar gomën e makinës.
Aktualisht hetimet për këtë ngjarje vijojnë, por në vendngjarje policia mësohet të mos ketë sekuestruar asnjë gëzhojë të armës me të cilën u realizua krimi.
Mediat italiane shkruajnë se fabrikën e tullave në Shqipëri e themeloi xhaxhai i Sarchi-t, Augusto Nidoli, ndërsa vetë viktima në Itali njihet për lidhjet me politikën që ka pasur babai i tij, Vittorio Sarchi që ka shërbyer si këshilltar bashkiak.
Prej 25 vitesh, italiani jetonte në Shqipëri, në zonën e ‘Laprakës’ në kryeqytet.