Forcat izraelite kanë ndaluar 13 anije që transportonin aktivistë ndërkombëtarë dhe ndihma humanitare drejt Gazës, ndërsa 30 anije të tjera vijojnë lundrimin, sipas organizatorëve të flotiljes globale “Sumud”. Kjo flotilje është shndërruar në një nga aktet më të bujshme të sfidimit ndaj bllokadës izraelite në Gaza dhe ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik botëror.
Sipas Kolektivit Feminist, mes aktivistëve nga mbi 40 vende të ndryshme gjendet edhe Albulena Fazliu nga Kosova, e cila është bashkuar me këtë nismë ndërkombëtare për të mbështetur popullin palestinez. Organizata theksoi se ajo, së bashku me aktivistë të tjerë, është “kidnapuar nga Izraeli” pas ndërhyrjes së forcave detare izraelite.
Në mesin e pasagjerëve ndodhej gjithashtu aktivistja e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg, e cila u filmua nga Ministria e Jashtme izraelite gjatë momentit të ndalimit. Pamjet e shpërndara tregojnë Thunberg të rrethuar nga ushtarë izraelitë në bord, duke konfirmuar praninë e saj në flotilje.
Flotilja “Sumud” përbëhet nga më shumë se 40 anije civile, me rreth 500 persona në bord, përfshirë parlamentarë, avokatë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ata transportonin ilaçe dhe ushqime për popullin e Gazës, ndërsa misioni i tyre ishte shpallur qartësisht si kauzë humanitare dhe jo e dhunshme. Në videot e publikuara në Telegram, aktivistët u shfaqën duke mbajtur pasaportat e tyre dhe duke pohuar se ishin rrëmbyer e transportuar me forcë në Izrael, në kundërshtim me vullnetin e tyre.
Përparimi i flotiljes nëpër Detin Mesdhe është shoqëruar me reagime të forta ndërkombëtare. Turqia, Spanja dhe Italia kanë dërguar anije dhe dronë për të monitoruar situatën dhe për të garantuar sigurinë e shtetasve të tyre. Ky veprim ka rritur tensionet diplomatike, pasi Izraeli ka lëshuar paralajmërime të përsëritura që flotilja të ndalonte lundrimin dhe të kthehej pas, duke e cilësuar këtë ndërhyrje si provokim.
Organizatorët e flotiljes deklarojnë se nuk do të tërhiqen, duke e konsideruar aksionin si një simbol të rezistencës paqësore ndaj izolimit dhe krizës humanitare në Gaza, ndërsa shoqatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë nisur të denoncojnë përdorimin e forcës nga Izraeli ndaj një misioni humanitar.