Mandati i katërt është nyja që vendos për të ardhmen e Partisë Socialiste: a do të mbijetojë dhe të avancojë ajo në progres, apo do të ketë fatin e partive simotra në vende të tjera? Një paralajmërim që vjen prej deputetit socialist Erion Braçe. Ky mandat qeverisës, mbajtja e premtimit për integrimin në BE, është vendimtar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të ardhmen e Partisë Socialiste. Nëse ky objektiv dështon, thotë Erion Braçe, e ardhmja e partisë vihet seriozisht në pikëpyetje, deri në rrezikun e zbehjes apo zhdukjes së saj.
Në pamje të parë, ky paralajmërim duket si një rrufe në qiell të hapur sepse pas 11 majit, PS është një parti me 83 mandate, një fuqi që s’e ka pasur kurrë më parë. PS-ja dhe Edi Rama janë në kulmin e pushtetit: kontrollojnë çdo institucion dhe përballë kanë një opozitë që nuk i kërcënon. Dhjetëra premtime nuk janë mbajtur nga PS në tri mandatet që shkuan dhe nuk ndodhi asgjë, madje morën mandatin e katërt. Por pse Erion Braçe e sheh rrezik dështimin në fund të këtij mandati, pra nëse Shqipëria nuk hyn në BE?
Mesa duket disa fenomene jo qartësisht të dukshme në publik, kanë nisur ta gërryejnë së brendshmi PS-në. Deputeti me përvojë 30-vjeçare në PS dhe parlamentin e Shqipërisë vëren disa prej tyre, si p.sh. praktika e “rreshtit” që ka zhbërë çdo liri brenda grupit parlamentar socialist. Ai kërkon nga kryetari i grupit parlamentar të rikthejë respektin për lirinë dhe dinjitetin e çdo deputeti. Organizimi i jetës parlamentare, paradokset dhe farsat në sallën e Kuvendit e në komisione po e bëjnë parlamentarizmin formal, pa substancë.
Braçe flet për fenomenin e karrierave të pamerituara, ku meritokracia është zëvendësuar nga forca e më të fortit për të shtypur më të dobëtin. Metodat klanore, përjashtimet dhe shpallja e armiqve brenda partisë po dëmtojnë seriozisht PS-në. “Të ndërtosh karrierë në kurriz të të tjerëve, duke i shtypur të tjerët…” – thotë ai, duke aluduar për marrëdhënie njerëzore mizerabël nga persona të caktuar që, siç nënkuptohet, janë në nivelet më të larta drejtuese. Pa përmendur emra, rrëfen se ka fshirë numra telefoni dhe bllokuar komunikime me drejtues të caktuar në parti.
Deputeti socialist, me mbi 30 vite angazhim aktiv, thotë se nuk ka pasur kurrë ambicie për poste të larta, por sot paralajmëron një rrugë të rrezikshme që mund ta çojë PS-në në fatin e partive të tjera të zhdukura.
Bujqësia, një nga temat ku ai ka investuar më shumë politikisht, zë një pjesë të rëndësishme të diskutimit. Braçe i quan geto fshatrat e luksit të ndërtuar, sipas tij, prej oligarkësh që kanë zënë tokat bujqësore. Ministrat që drejtuan bujqësinë pas vitit 2018, sipas tij, vepruan si biznesmenë dhe i dhanë goditjen fatale sektorit. “Në këto 35 vite Shqipëria ka pasur ngritjet e saj, por edhe hone. Bujqësia është aktualisht në honin më të madh,” – thotë ai.
Ai prek edhe tema të tjera të nxehta: rolin e oligarkëve të ndërtimit, modelin e fasadave, premtimet boshe për BE-në, zhgënjimet dhe gënjeshtrat brenda PS-së, momentin kur u largua nga Divjaka dhe kushtet që e shtynë drejt këtij vendimi. Flet për “luftën e turpshme” mes kolegësh gjatë fushatës së 11 majit, ku humbi miq.
Braçe ndalet edhe te raporti i DASH për korrupsionin, ministrat e zyrtarët që sot janë pas hekurave, qarkullimi i elitave dhe dy kohët e politikës: personazhe që hyjnë me bujë në PS, e më pas shfryhen si flluska. Pse po flet dhe çfarë paralajmëron Erion Braçe?
Ndiqni përgjigjet e tij në podcastin e gazetës TemA.
Fshatrat e luksit si geto mbi tokat bujqësore, oligarkët e shkatërruan bujqëinë në bashkëpunim me politikanë që sillen si biznesmenë (Pjesa e parë)
Mandati i katërt, triumf apo fillimi i fundit? Erion Braçe: Klane, karriera të pamerituara dhe armiqësitë që po gërryejnë PS-në (Pjesa e dytë)