Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas videos, ku kryeministri Edi Rama shihej teksa tallej me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë një bisede me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë (Kopenhagen) këtë të enjte. Sipas Kokalarit, Rama ngatërron arrogancën me karizmin, duke bërë gafa që e turpërojnë Shqipërinë në sytë e botës. Ajo thekson se shakatë e tij pa kripë nuk janë aspak argëtuese, por përbëjnë skandale diplomatike që qarkullojnë deri në korridoret e Shtëpisë së Bardhë. Për Kokalarin, fakti që Macron dhe Aliyev qeshën nuk e justifikon gafën, pasi qeshja e tyre ishte më shumë tallje me Ramën sesa me Trumpin. Ajo e cilëson kryeministrin shqiptar të paaftë për të kuptuar çfarë është klasi dhe çfarë është e lejueshme në diplomaci. Madje, Kokalari ironizon edhe me pasionin e Ramës për pikturën, duke e quajtur po aq mediokër sa humori i tij.
“E vetmja arsye pse Edi Rama mendon se është ‘karizmatik’ kur thotë idiotlliqe dhe bën gafa diplomatike të këtij kalibri, është sepse ata që e dëgjojnë qeshin nga halli, por ju garantoj janë të skandalizuar kur dëgjojnë ‘shaka’ të tilla pa kripë, sidomos kur janë për Donald Trump, dhe më vjen mirë që Macron & Aliyev janë kapur duke qeshur në kamera, sepse kjo video po qarkullon mes disa punonjëseve në Shtëpinë e Bardhë momentalisht. (You’re welcome!) Fakti që Rama mendon që këto shaka janë të mirëpritura është sepse vetë nuk kupton çfarë është klasi, ndryshe do ta kuptonte që kjo shaka nuk ishte ‘argëtuese’ por skandaloze, dhe ju garantoj që Macron tallet me idiotlliqet e tij, por pikërisht klasi nuk ja lejon ta bëj këtë në praninë e Ramës. Fakti që Ramës i mungon komplet ky sens për të kuptuar çfarë është e lejueshme apo jo, është parë në shumë momente ku ky ka treguar një arrogancë dhe injorancë që të turpëron. Nuk di në çfarë delusioni jeton ky njëri, por uroj ti lexoj këto rreshta, që të kuptoj që dhe pikturat e tij janë po aq shterpë dhe mediokër sa humori që ka. E them këtë, sepse nuk mund ta harroj të qeshurat histerike të dy individëve super të njohur në politikën Amerikane, që më tregonin se kishin darkuan në shtëpinë e tij, dhe ky me zell i tregon pikturat sikur te ishin vërtet art. Se kush është Edi Rama apo çfarë klasi mund te ketë, s’do të më kishte shqetësuar fare por fakti mbetet që ai është prezantimi i parë që politikanë të huaj kanë me vendin, dhe kjo është tragjedi për të gjithë ne”, shkruan Kokalari.
Tallja e Ramës
Ndërkohë kujtojmë se konfuzioni gjeografik i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ishte objekt talljeve midis liderëve botërorë në një samit të enjten. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u filmua duke bërë batuta me Presidentin francez Emmanuel Macron dhe Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Kopenhagen të enjten. “Duhet të na kërkoni falje, sepse nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”, i tha Rama, Macronit, ndërsa Aliyevi shpërtheu në të qeshura.
“Më vjen keq për këtë”, tha me shaka Macron. Trump e ka ngatërruar vazhdimisht Armeninë dhe Shqipërinë kur flet për përpjekjet e tij për të zgjidhur tensionet e gjata midis Armenisë dhe Azerbajxhanit. “Unë zgjidha luftëra që ishin të pazgjidhshme. Azerbajxhani dhe Shqipëria, kjo po ndodhte për shumë, shumë vite, kisha kryeministrat dhe presidentët në zyrën time”, tha ai gjatë një paraqitjeje në Fox News muajin e kaluar. Dhe gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer, Trump tha: “ne i zgjidhëm çështjet e Azerbajxhanit dhe Shqipërisë”, duke e shëmtuar emrin e një vendi të Kaukazit të Jugut dhe duke e ngatërruar tërësisht tjetrin. Për të qenë të qartë: Trump ndërmjetësoi një marrëveshje midis udhëheqësve të Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë në gusht, me të dy vendet që u zotuan t’i jepnin fund dekadave të luftimeve dhe të zgjeronin lidhjet me Uashingtonin. Udhëheqësi republikan e përshëndeti paktin si një fitore të madhe diplomatike, duke i shkëlqyer kredencialet e tij ndërsa bën fushatë për Çmimin Nobel për Paqen.
Zbythet Rama
Por teksa tallja që bëri me presidentin Donald Trump, gjatë një bisede me presidentin e Francës dhe atë të Azerbajxhanit, mori dhenë, kryeministri Edi Rama ka nxituar të ndryshojë sadopak ‘dëmin’ e shkaktuar nga një shaka “pa kripë”. Duke ja atashura fajin kryesor mediave, për shtrembërim të fjalëve të tij, Rama me anë të një postimi në rrjetin social “X” justifikohet se ajo fjali nuk ishte gjë tjetër veçse një shaka mes miqsh e nxjerrë jashtë kontekstit. “Është vërtet e jashtëzakonshme se si funksionon media sot dhe si e ashtuquajtura “viralitet” mund të shtrembërojë realitetin kaq lehtësisht. Një fjali e thënë me humor të mirë, në frymën e miqësisë, papritur kthehet në një titull kryesor botëror për një samit të tërë mes dhjetëra kombesh,
ndërsa gjithçka tjetër, përmbajtja e vërtetë, bëhet e parëndësishme. Por po, ishte kënaqësi e madhe sot të isha me mikun tim të vjetër Ilham Aliyev dhe, në praninë e mikut tonë të dashur të përbashkët Emmanuel Macron, të përmendja një lapsus të Presidentit Trump, i cili tha se edhe Shqipëria kishte arritur të bëjë paqe me Azerbajxhanin, ndërkohë që vetë Emmanuel-i ka punuar pareshtur, për një kohë të gjatë, për të sjellë paqe mes Azerbajxhanit dhe Armenisë”, shkroi Rama. I sikletosur nga viraliteti që mori video e tij me Macronin dhe presidentin azer, Rama mundohet që ta paraqes si normale situatën por fjalët që ai vetë ka shkruar duket se e tradhtojnë.
Teksa thotë se nuk e ka problem se video është bërë e madhe, më poshtë shkruan dy paragrafë lavdërime dhe elozhe për madhështinë e Presidentit Trump. Nuk mund t’i vihet faj kryeministrit Rama që është trembur, duke pasur parasysh tempin e Trumpit, nuk është e lehtë që një shaka që merr përmasa të tilla, të mos merret me sy të keq nga presidenti i SHBA-ve. “Një shaka e lehtë, një moment miqësor. Sigurisht, nuk ka problem nëse përhapet, por ta shtrembërosh në helm politik është thjesht e padrejtë. Prandaj, le ta sqarojmë çështjen: E vërteta është që Presidenti Trump është treguar një lider që e riktheu fjalën ‘paqë’ në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh. Dhe po, në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ai arriti paqe atje ku të tjerët provuan por dështuan, dhe ai vazhdon ta ndjekë këtë qëllim pa pushim. Ajo shkëmbim nuk ishte gjë tjetër veçse një moment humori të mirë mes njerëzve që, në fakt, janë ndër admiruesit më të mëdhenj të Presidentit Trump”, nënvizoi Rama.