Ilir Dako
Rama, me atletet e bardha që i ka kthyer në simbol të “liderit të ri ballkanik”, me kollaret shumëngjyrëshe që i përdor si flamuj të protagonizmit, dhe me veshjen ekstravagante që shpesh sfidon seriozitetin e samiteve, u hodh në skenë si një gaztor shumwngjyrwsh oborri që mendon se çdo batutë është një akt strategjik. “Duhet të na kërkosh falje që nuk na uron për paqen që Trump na solli me Aliyev,” tha ai me një buzëqeshje të ngarkuar me sarkazëm, ndërsa Macron qeshi dhe Aliyev e shikonte me një lloj hutimi të përmbajtur.
Në samitin e Kopenhagenit, Edi Rama nuk u shfaq si një lider me gravitet institucional, por si një performues i një teatri pa skenë, ku protagonizmi ishte më i rëndësishëm se protokolli, dhe batuta më e fortë se balanca diplomatike. Në prani të Macronit dhe Aliyevit, ai vendosi të tallej me Presidentin amerikan Donald Trump, duke e kthyer lapsusin e tij – ku Trump ngatërroi Shqipërinë me Armeninë, në një shaka të stërzgjatur që u shndërrua në incident diplomatik.
Por kjo nuk ishte një batutë mes miqsh. Ishte një përçmim i koduar, një mllef i paketuar si humor, një ekstazë e momentit që u ushqye nga narrativat konspirative për mbylljen e qeverisë amerikane, për ndikimin e Sorosit, për triumfin e demokratëve. Rama nuk po bënte diplomaci, ai po bënte performancë. Dhe kur performanca përplaset me realitetin, grotesku nuk prodhon art, por dëm.
Kopenhageni nuk ishte një TikTok ballkanik. Ishte një skenë ku batuta ndaj Presidentit Trump, një “shkëmbesë” që u shit si humor mes miqsh, u kthye në një boomerang diplomatik që goditi me forcë imazhin e Shqipërisë. Rama, që zakonisht e sheh veten si një “lider global me shpirt artisti”, u shndërrua në një “artist pa skenë”, një protagonist që nuk di të lexojë publikun ndërkombëtar, por vetëm kamerat e mediave proqeveritare.
Në vend që të mbajë qëndrimin e një burrështetasi, ai u kthye në një “lepurush me poture të mbushura”, duke u fshehur pas një deklarate të stërmunduar ku lavdëronte Trumpin si rikthyesin e paqes në fjalorin perëndimor. Një kthesë që nuk ishte reflektim, por një “valle e frikës”, një koreografi e improvizuar për të shpëtuar nga pasojat e një talljeje që nuk ishte as spontane, as e padëmshme.
Rama, që në mëngjes performon si “Don Kishot i diplomacisë ballkanike”, në mbrëmje shndërrohet në “Pinoku i apologjisë transatlantike”. Ai nuk është më ai që tallet me Trumpin, por ai që e quan “lider paqësor”, duke e kthyer batutën në bekim, ironinë në lutje, dhe protagonizmin në pendesë.
Por kur mediat ndërkombëtare e kthyen këtë episod në një krizë, kur figura e Presidentit Trump u vendos në qendër të debatit, Rama u tërhoq si një lepurush që ndjen aromën e gjahut. Ai u shndërrua nga tallës në apologjet, nga protagonist në pendestar, nga “luani i mëngjesit” në lepurush i mbrëmjes”. Deklarata e tij e mëvonshme, ku e cilësonte Trumpin si liderin që riktheu fjalën “paqe” në fjalorin perëndimor, ishte një akt i dytë i farsës, një përpjekje për të rikuperuar imazhin e dëmtuar, një valle e frikës që kërkonte të fshihte poturet e mbushura me pasojat e një batute të pakontrolluar.
Në këtë grotesk diplomatik, Shqipëria nuk ishte më një vend me ambicie europiane, por një shtet që përfaqësohej nga një lider që gdhihet si “Don Kishot i samiteve” dhe ngryset si “Pinoku i apologjisë transatlantike”. Një lider që nuk di të lexojë kontekstin, por vetëm vëmendjen. Një lider që nuk ndjek protokollin, por algoritmin e protagonizmit.