Një tjetër episod dhune në familje ka tronditur sot kryeqytetin. Në redaksinë e “Priza.al” ka mbërritur një video e rëndë, ku shihet një burrë i moshuar teksa ushtron dhunë fizike dhe verbale ndaj gruas së tij, në sy të klientëve të një lokali afër terminalit ndërqytetas në Qytet Studenti.
Pamjet janë dërguar nga një qytetare në numrin e redaksisë (+355 68 404 00 65) dhe tregojnë një skenë tronditëse: burri i moshuar kap prej flokësh bashkëshorten e tij, e ofendon me fjalë banale dhe e tërheq me forcë, ndërsa gruaja përpiqet të mbrohet e poshtëruar para të tjerëve.
Shkaku i sherrit
Nga informacionet e para, dyshohet se ngjarja ka ndodhur pasi burri kishte zbuluar një tradhti bashkëshortore nga ana e gruas. Ai i ka kërkuar llogari në mes të lokalit, duke e kthyer bisedën në një skenë dhune të hapur dhe duke përdorur fjalor të rëndë që është dëgjuar qartë në video. Edhe pse ende nuk është zbuluar identiteti i protagonistëve, fytyrat e tyre duken qartë, çka mund të ndihmojë autoritetet për identifikimin dhe marrjen e masave ligjore.
Dhuna që ndodh para syve të qytetarëve
Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë rast është fakti se ngjarja ka ndodhur në sy të dhjetëra qytetarëve, që ndodheshin në lokal. Shumë prej tyre nuk kanë reaguar, duke i lënë palët të përballen mes tyre. Kjo pasivitet e shoqërisë shqiptare në raste të tilla mbetet një plagë e madhe, që shpesh herë i lë viktimat pa ndihmë në momente kur u rrezikohet edhe jeta.
Thirrje për ndërgjegjësim
“Priza.al” bën thirrje të qartë autoriteteve ligjzbatuese që të ndërhyjnë me urgjencë për identifikimin dhe ndëshkimin e autorit të dhunës. Ky rast nuk duhet të mbetet vetëm si një video që qarkullon në rrjetet sociale, por duhet të shërbejë si alarm për të gjithë shoqërinë.
Rastet e fundit të dhunës ndaj grave, shpesh me fund tragjik, tregojnë se fenomeni është i përhapur dhe kërkon masa të forta institucionale, edukim dhe reagim qytetar. Çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare? Edhe sa gra duhet të dhunohen apo të humbin jetën që të ndërgjegjësohemi si shoqëri?
Dhuna ndaj grave nuk është çështje private mes dy bashkëshortëve, por një krim shoqëror që dëmton strukturën e familjes dhe imazhin e vendit. Ky rast duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjithë, nga autoritetet tek qytetarët, që të mos heshtin më përballë dhunës.