Gjyqtarin e vr*u Edi Rama! Gazetari zbulon detajet tr*nditese te historise

Shkruar nga Gjergj Zefi

Pas muaj sulmesh të hapura të kryeministrit ndaj gjyqtarëve e prokurorëve, një kriminel hyri i armatosur në Gjykatën e Apelit dhe vrau një gjyqtar në zyrën e tij, simboli tragjik i shtetit që po shembet nën urrejtjen e Kryeministrit për drejtësinë…

Ata që hezitonin ta quajnë Shqipërinë një narko-shtet apo mafie shtetërore, nga sot nuk kanë më asnjë justifikim.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, në zyrën e tij brenda Gjykatës së Apelit, nga një person që shkoi si palë në proces dhe krejt gjakftohtë hyri i armatosur për të ekzekutuar një prej gjyqtarëve më me përvojë të vendit, është dëshmia më e qartë se ky vend ka kaluar çdo kufi.

Kriminelët në Shqipërinë e Edi Ramës kanë aq shumë fuqi, sa mund të hyjnë në tempullin e drejtësisë dhe të vrasin aty ku ligji duhej të ishte i shenjtë.

Një ngjarje e tillë nuk ka ndodhur as në kohën e Ahmet Zogut, as në diktaturën e Enver Hoxhës, as gjatë tranzicionit të Sali Berishës apo Fatos Nanos.

Ndodhi sot, në epokën e Edi Ramës, të një kryeministri që bën shaka me njerëzit, ndërsa vendi i tij sundohet nga krimi.

Ky është realiteti i një Shqipërie ku kriminelët e Shijakut dhe Zooteknikës kërcënojnë mjekë, noterë, prokurorë, ku çdo polic e çdo zyrtar trembet nga ndonjë “i fortë” që ecën me armë në brez.

Një shtet ku mafia vendos mbi drejtësinë dhe krimi është më i mbrojtur se ligji.

Kjo nuk është thjesht një tragjedi; është një rrëzim i plotë i shtetit.

Sot i kanë rënë në kokë qeramidhet e sistemit të tij të kalbur, ndërtuar me mashtrime, korrupsion e aleanca me krimin.

Kryeministri që prej muajsh sulmon gjyqtarët dhe prokurorët, që i ka kthyer institucionet në arenë të sulmeve personale, është bashkëfajtor në këtë krim.

Sepse, duke nxitur urrejtjen ndaj drejtësisë, ai ka hapur rrugën që kriminelët të marrin armët dhe të bëhen gjykatës të vetes.

Shqipëria sot është në pikën më të ulët të historisë së saj moderne.

Një gjyqtar u vra në zyrë, dhe bashkë me të u vra edhe shteti.

Edi Rama mund të largohet, mund të justifikohet, mund të shpikë fajtorë të rinj; por fakti është një: ky krim ndodhi në kohën e tij, në shtetin e tij, në sistemin që ai ndërtoi me dorën e vet./Pamfleti