Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit në Tiranë goditi shtetin ligjor. Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, një gjyqtar u ekzekutua në detyrë, në një vend që duhet të garantojë drejtësinë dhe jo të shndërrohet në skenë tragjedie.
Por, nëse vetë ngjarja ishte tronditëse, reagimi i një pjesë të opinionit publik në rrjetet sociale ka qenë edhe më alarmuese.
Në vend të një dënimi unanim ndaj dhunës dhe autorit të saj, komente të shumta janë vërsulur në mbështetje të vrasësit, duke e quajtur “hero” apo duke e përgëzuar: “i lumtë dora”. Ky normalizim i dhunës dhe akteve të tilla të vetëgjyqësisë ngre një shqetësim të thellë mbi gjendjen e moralit shoqëror dhe krizën e besimit te drejtësia në vend.

“Mirë ja kanë bërë se nuk gjykojnë sipas ligjit, por sipas lekut dhe vete në të shumtit. Zoti shikon, kanë marrë njerëz të pafajshëm në qafë dhe i japin dënimet si i do b*tha këtyre”, shkruan një tjetër komentues në nja nga postimet e Newsbomb në rrjetet sociale.

Pak pas mesditës të së hënës, 30-vjeçari Elvis Shkambi, qëlloi me armë zjarri gjyqtarin Astrit Kalaja, pak pasi ky i fundit kishte dhënë vendimin për një proces gjyqësor ku familja e 30-vjeçarit shkodran ishte pjesë.
Fatkeqësisht, Kalaja nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë përpara se mjekët ta dërgonin në spital. Nga sulmi me armë zjarri mbetën të plagosur edhe dy shtetas të tjerë, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët në proces gjyqësor me Gjon Shkambin, xhaxhain e Elvis Shkambit.
Rrënjët e këtij konflikti mes 30 familjeve në Shkodër dhe familjes Shkambi janë të thella, me dokumenta që nisin nga vitet ’93, ku palët kishin hyrë në një “odise gjyqësore” për të vërtetuar të drejtën e tyre mbi një pronë të trashëguar.
Ndërkohë, mësohet se vendimi i dhënë nga gjyqtari Kalaja ditën e djeshme nuk ishte në favor të autorit të dyshuar apo familjarëve të tij, çka dyshohet të ketë nxitur dhe 30-vjeçarin për të ndërmarrë aktin e rëndë.
Gjyqtari Kalaja vendosi që çështja të rishqyrtohej me kujdes për veprimet përmbarimore që ishin ndërmarrë dhe si rrjedhojë e riktheu dosjen në Gjykatën e Shkodrës.
)






